PSD-ja thërret seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, ka bërë me dije se me propozim të grupit parlamentar të kësaj partie, më 16 korrik nga ora 11:00 do të mbahet një seancë jashtëzakonshme në lidhje me fazën finale të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
“Muajin e kaluar në Bruksel, pa marrë pëlqimin e Kuvendit, dhe pa platformë shtetërore të miratuar nga Kuvendi, është zhvilluar takimi i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Në ndërkohë, nga Zyra e përfaqësues së lartë e Bashkimit Evropian, është bërë e ditur se takimi i radhës ndërmjet të dy presidentëve do të mbahet me 18 korrik 2018 në Bruksel”.
“Duke e pasur parasysh ndikimin politik që ka ky dialog dhe marrëveshja eventuale që del nga ai do ta ketë në procesin e shtetndërtimit, zhvillimit, e demokracisë në Republikën e Kosovës, përmes kësaj seance të jashtëzakonshme deputetët nënshkrues do të kërkojnë që diskutimi dhe vendimmarrja t’i kthehet Kuvendit, organit më të lartë legjislativ”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/