PSD-ja: UÇK-ja është themeli i Republikës, zonja presidente!
Partia Socialdemokrate (PSD) ka realizuar një aksion simbolik, ku në oborrin e Presidencës ka vendosur flamurin e UÇK-së.
Pas këtij aksioni, PSD-ja nëpërmjet një komunikate për medie ka theksuar se institucionet e Kosovës, Presidenca dhe të gjitha të tjerat nuk kanë kuptim as nuk shpjegohen pa UÇK-në.
“Pa UÇK-në këto institucione nuk do të ishin tonat, në fakt do të ishin ose kuislinge ose autonomiste. Të gjithë ne i dimë rrethanat ndërkombëtare dhe momentet që na sollën deri këtu. Por, Kosova nuk u krijua nga hiqi. Këtu kishte popull, histori e vullnet. Kishte kërkesa e përpjekje autentike që nuk u shuan as në kohërat më të rënda. Presidentja shquhet për tonet pezhorative ndaj njerëzve të rezistencës, rezistencë që mbajti gjallë deri tek UÇK-ja, idenë e lirisë. Kulmi i këtyre përpjekjeve është lufta e UÇK-së. Ta mohosh UÇK-në i bie ta mohosh provën kryesore të lirisë, sakrificën dhe vullnetin e brendshëm”, është thënë në komunikatën e PSD-së.
Kjo parti ka theksuar se presidentja dhe secili duhet ta dijë se UÇK-ja tashmë është histori dhe vlerë e paprekshme.
“Vjosa Osmani duhet ta dijë se roli i saj nuk lejon që smira e inatet e pushtetit t’ia shtrembërojnë vlerësimin për historinë”, është thënë në komunikatën e PSD-së, e cila drejtohet nga Dardan Molliqaj.