PSD-ja: Zbardhja e fatit të të pagjeturve, kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
Partia Socialdemokrate (PSD) ka theksuar se zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe vendosja e pakushtëzuar e drejtësisë është kushti themelor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve. Kjo ditë Kosovën e gjen të lënduar e me plagë të hapur. 20 vjet pas luftës Kosova vazhdon të mos ketë kurrfarë përgjigje për 1652 qytetarë të saj. Serbia vazhdon obstruksionet e saj me pjesën më të ndjeshme të shoqërisë. Përdorimi si levë kushtëzuese i fatit të pagjeturit përbën politikë antihumansite dhe mungesë vullneti për fqinjësi të mirë e bashkëjetesë. Zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe vendosja e pakushtëzuar e drejtësisë është kushti themelor për normalizimin e marrëdhënieve”.
“Partia Socialdemokrate është me familjet e atyre që ende nuk e kanë një përgjigje për më të dashurit e tyre. Në secilën situatë dhe kudo që jemi do të angazhohemi që fati i tyre të zbardhet dhe përgjegjësia të mbahet”, është thënë në komunikatën për medie të PSD-së.
/Epoka e re/