PSD në 25-vjetorin e çlirimit: Liria ishte çmimi që e paguam shtrenjtë
Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), ka uruar gjithë qytetarët në ditën e çlirimit, duke thënë se ky ishte rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të shumë brezave.
Sipas PSD-së, liria ishte çmimi që populli i Kosovës e kishte paguar shtrenjtë.
“Çlirimi i Kosovës është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të shumë brezave që dhanë gjithçka nga vetja dhe bën gjë që shkonte edhe përtej potencialit të tyre. Liria ishte çmimi që e paguam shtrenjtë. Fundi i shekullit XX ishte pjesa më ë vështirë e ecjes shqiptare për t’i flakur tutje prangat e robërisë, por bashkë me sfidën më të madhe të historisë tonë, erdhi edhe kurorëzimi i krejt asaj sakrifice shekullore – çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999”, është thënë në komunikatën e PSD-së.
Më tutje, PSD-ja ka falënderuar gjithë ata që kanë dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Sot në këtë ditë bashkë me urimin, kujtojmë dhe falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan në organizim të rezistencës; falënderojmë dhe përkulemi para të gjithë rënëve dhe dëshmorëve të vendit; falënderojmë veteranin e UÇK-së si dhe mirënjohje e veçantë shkon edhe për aleatët perëndimorë që sipërmarrjen tonë për çlirim e ndihmuan me intervenimin ushtarak të NTO-së”, është thënë në komunikatën e partisë që drejtohet nga Dardan Molliqaj.