PSD: Policia ka për qëllim kriminalizimin e protestës
Partia Socialdemokrate ka reaguar ndaj njoftimit të Policisë së Kosovës së në protestën e djeshme të kësaj partie janë lënduar disa policë.
Kjo parti ka bërë me dije se policia po dëshiron ta kriminalizojë protestën e tyre, e cila është mbajtur dje brenda objektit të ZRrE-së.
“Policia e Kosovës po e vazhdon propagandën që ka për qëllim kriminalizimin e protestës dhe arrestimin e dhunshëm të aktivistëve. Policia ka dezinformuar dhe ka gënjyer. Ka dezinformuar kur ka thënë se janë në mbajtje 4 aktivistë. Aktivistët e arrestuar janë 6, emrat e tyre janë: Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Natyra Kuçi, Genc Sherifi, Frashër Krasniqi”,është thënë në njoftimin e PSD-së.
Sipas PSD-së, në këtë protestë janë lënduar aktivistët e tyre dhe jo policia. “Gënjeshtra ndërkaq është e kulluar lidhur me rrjedhën e protestës. Ata thonë se janë lënduar 4 policë, por në fakt pamjet tregojnë se janë protestuesit që të shtrirë janë shkelur me këmbë. Evidenca mjekësore dëshmon po ashtu se ndihmë mjekësore kanë kërkuar Dardan Molliqaj dhe Gent Brahimi. Ne vazhdojmë të kërkojmë përgjigje në lidhje me vendimin e shtrenjtimit të rrymës. Mashtrimi, gënjeshtra e manipulimi i ZRrE-së tashmë u dëshmua edhe me dhunën policore që u përdor dje”, është thënë në njoftim.