“Pse Covid-19 po humbet fuqinë”
Massimo Ciccozzi, epidemiolog i universitetit “Campo Bio-Medico” të Romës, u shpreh sot, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë të Senatit italian, se virusi SarsCov2 po humbet fuqinë kryesisht për shkak të efektit të izolimit, distancimit shoqëror dhe përdorimit të pajisjeve mbrojtëse.
Ai shtoi, gjithashtu, se shkak ”mund të jenë edhe mutacionet kalimtare të virusit, që e bëjnë atë më pak ngjitës”.
“Ajo që po bëhet në modelet e zhvilluara nga grupe të ndryshme të studiuesve, në këto ditë, janë të gjitha hipoteza, sepse mungojnë provat e patogjenitetit në laborator të qelizave dhe virusit”, saktësoi Ciccozzi.
“Që virusi po humbet forcën mund të shihet nga fakti që qarkullimi i tij është ulur dhe ky mund të jetë edhe efekti i këtyre mutacioneve. Por, unë përsëris, kjo është gjithashtu një hipotezë që duhet të vërtetohet”, përfundoi ai.