“Shpeshherë kam menduar për këtë shtëpi”, thotë Rogerson. E paramendon si një vend përplot me gjallëri, të mbushur me njerëz dhe me kafshë. Në një histori të rrëfyer, Muhamedi ngrihet para agimit për t’u përgatitur për lutjet e para të ditës, por preu mëngët për të mos e shqetësuar macen e tij që flinte [te krahët e ti], Muezën. E para “shtëpia-xhami” – shkruan Rogerson – e krijoi hapësirën “ku politika, feja, miqtë dhe familja u bashkuan”: e quan si “shtëpia e pandarë”. Kjo nuk do të zgjaste shumë.
Ndarja e parë vendimtare, siç shpjegon Rogersoni, erdhi për çështjen e trashëgimisë së Muhamedit. Për shiitët, Aliu – kushëriri i Muhamedit – ishte pasardhësi i tij i emëruar, “i sanksionuar nga e njëjta frymë hyjnore që Kuranin ia kishte shpallur Profetit”. Në vend të kësaj, shokët e Muhamedit, Abu Bekri dhe Omari, organizuan një “grusht shteti” në kohën kur Aliu ishte i preokupuar me organizimet e varrimit. Pasoi “sundimi tokësor i kalifëve” (duke filluar me Ebu Bekrin, të cilin Omari e pasoi) të cilët “u treguan udhëheqës të suksesshëm politikë”. Për sunitët, këto ngjarje ishin të favorshme dhe e unifikuan një komunitet pa ndonjë udhëheqës. Katërmbëdhjetë shekuj më vonë, këto dy fraksione udhëhiqen nga Arabia Saudite sunite në njërën anë, si dhe nga Irani shiit në anën tjetër – të karakterizuara këtu si “mbretër arabë të veshur me kefije” dhe si “ajatollahë me çallmë të zezë”.
Megjithatë, dallimet teologjike janë thjesht një faktor në tensionet moderne të Lindjes së Mesme. “A është me të vërtetë çështje qendrore kjo ndarje e besimit mes islamit sunit dhe shiit”, pyet Rogerson, “apo është një vello nën të cilën luftohen lojërat e tjera të pushtetit – si krijimi i shteteve kombëtare dhe ideologjive politike”? Lufta civile siriane, për shembull, mund të lexohet si “një rast klasik i shiitëve kundër sunitëve”, me Hezbollahun shiit, regjimin e Assadit dhe Gardën Revolucionare iraniane në njërën anë, dhe me kombet sunite – si Arabia Saudite – nga ana tjetër. Por, thotë Rogerson, “gërmoni pak më thellë” dhe shfaqen antagonizmat midis aleatëve te të dyja palët, jo më pak edhe një histori rivaliteti midis Arabisë Saudite dhe Turqisë.
Mosmarrëveshja ndërmjet interpretimeve sunite dhe shiite të islamit është ajo ku fillon Shtëpia e ndarë dhe ku pyetja rikthehet; por, shtrihet më gjerësisht. Rogersoni reflekton, për shembull, mbi rolin që ka luajtur ndryshimi i klimës në rajon. ISIS-i, shpjegon ai, gjeti mbështetje në Siri jo sepse ideologjia ekstremiste e së parës rrjedh larg nga islami sunit dhe se i dyti është nga shumica shiia, por sepse thatësira i kishte bërë njerëzit më të dëshpëruar; Anwar Sadati, president i Egjiptit nga viti 1970 deri në 1981, citohet të ketë thënë se “e vetmja gjë që mund ta çojë Egjiptin përsëri në luftë – është uji”, duke u bërë Nili një fushëbeteje për shtetet – përfshirë Egjiptin dhe Sudanin, të cilët varen prej tij.
Në fakt, Shtëpia e ndarë shpaloset gjatë rrjedhës së shekujve dhe nëpër histori të veçanta kombëtare, por të ndërthurura. Është udhëtim marramendës. Perandoritë dhe aleancat formohen dhe bien; janë shpeshherë tronditëse, të pamatura dhe çnjerëzore ndërhyrjet nga Britania, Franca, Rusia dhe Amerika; aleatët manipulohen dhe përjashtohen; hartat rivizatohen rreth interesave strategjike. Vendimin e Britanisë për ta “evakuuar Palestinën më 1948”, Rogersoni e dënon si “papërgjegjësi kriminale”: kur ata u tërhoqën, i lanë “të dy komunitetet për të luftuar për të”. Pasojat e padëshiruara ndizen në të gjitha drejtimet.
Është e fuqishme shtrirja e gjerë e librit të Rogersonit. Në mënyrë të pashmangshme sakrifikon detajet për pamjen e madhe, por në pjesën më të madhe duket se është në përputhje me qëllimin për ta hapur një dritare për të painformuarit. Megjithatë, edhe pse themi kështu, duke iu afruar ditës së sotme kjo qasje e tij fillon të ndihet si shumë e mangët dhe rezulton me disa momente të çuditshme. Vrasja dhe copëtimi i viti 2018 – i sponsorizuar nga shteti saudit – i gazetarit Jamal Khashoggi, përshkruhet si “jo edhe aq tronditëse” duke pasur parasysh prejardhjen e tij familjare si bir i një tregtari të armëve dhe si njeri i regjimit. Dhe, çuditërisht, libri përfundon duke e këshilluar Kinën, si partner gjithnjë e më i rëndësishëm tregtar në Lindjen e Mesme, që aleatëve të rinj të mos u “mbajë ligjërata” mbi “lirinë, transparencën dhe drejtësinë” ose për “demokracinë dhe liritë e tjera liberale”. Shtëpia e ndarë është libër i pasur dhe zbulues me të cilin mund të filloni ta zbuloni kompleksitetin dhe rëndësinë bashkëkohore të historisë së Lindjes së Mesme; por, në disa vende, shkurtësia e tij do të thotë se nuk është vendi ku përfundimisht duhet të ndaleni. /Telegrafi/