PSE DUHET TË VOTOI MËRGATA SHQIPTARE

03 mars 2025 | 13:01

MËRGATA SHQIPTARE ËSHTË MËRGATA MË PATRIOTIKE DHE MË E LIDHUR ME ATDHEUN E SAJ

Shkruan: Ismet Rashiti

Ka disa vite që dëgjohen zëra kundër (mos) votimit të mërgatës shqiptare. Këta zëra janë të rrallë, por jo edhe të parëndësishëm, pasi vijnë e shtohen, sidomos në prag të zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve dhe sidomos pas numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve. Kjo ndodh për arsye se, gjoja, mërgata po voton një subjekt të caktuar. Përpjekjet për të krijuar vija ndarëse në mes të pjesëtarëve të një gjaku dhe të një kombi janë tepër të rrezikshme dhe me pasoja të rënda afatgjata. Këto tendenca përçarëse janë shprehur edhe më parë, duke u përpjekur të krijohet kombi kosovar dhe më pas nuk kanë pushuar asnjëherë për ndarjen e shqiptarëve në ata të Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës Lindore dhe të Malit të Zi.
Tash së fundmi, publicistë mediokër dhe ndonjë ish udhëheqës i një partie me ndikim politik si Isa Mustafa, në studio të ndryshme televizive, bërtasin kundër votimit të mërgatës, ani pse z. Isa Mustafa, një kohë të gjatë vet ka qenë pjesë e mërgatës. Të gjitha këto përpjekje burimin e kanë te platformat e ndryshme shoviniste të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, të cilat në vazhdimësi kanë propaganduar moton e tyre të njohur “ndaj, përçaj dhe sundo”! Pra, zërat e tillë janë bërë altoparlantë të frymës së ndarjeve brenda kombit shqiptar mbi baza krahinore, regjionale, fetare, apo të vendeve të ndryshme ku jetojnë dhe punojnë fizikisht. ! Është interesant se pikërisht ata udhëheqës që kanë jetuar dhe vepruar për shumë vite në mërgatë, pas kthimit të tyre në Kosovë dhe pas marrjes së posteve udhëheqëse, asnjëherë ose shumë pak kanë folur për mërgatën. Kjo mbase i ka arsyet e veta të cilat kësaj radhe nuk janë objekt trajtimi.

Pse duhet të votoj mërgata shqiptare?

Mund të jetë një imazh i 3 persona, turmë dhe teksti që thotë "TOP DEN TERROR WIR WOLLEN FREIHEIT FÜR UNSERE HEIMAT KOSOVA"

Së pari, mërgata është pjesë e pandarë e Atdheut të saj. Nuk ka mërgatë më patriotike dhe më të lidhur me atdheun se sa mërgata shqiptare. Pjesa dërmuese e tyre ka shtetësinë dhe dokumentet e Republikës së Kosovës, për të cilën kanë punuar, kontribuar dhe luftuar deri në fund për çlirimin e Kosovës. Të gjithë kanë lidhje të ngushta familjare dhe farefisnore në Kosovë. Kanë miqtë e tyre të fëmijërisë. Kanë pronat personale për të cilat paguajnë tatimet, njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë që jetojnë në Kosovë. Paguajnë po ashtu edhe të gjitha obligimet e tjera, duke iu përgjigjur çdo aksioni për ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve, rregullimin e rrugëve, mirëmbajtjen e fshatrave dhe varrezave. Mërgimtarët shqiptarë, mesatarisht, vinë tri-katër herë në Kosovë dhe derdhin mijëra euro. Në Kosovë i bëjnë të gjitha festat familjare, nga të cilat gjallërohet jeta dhe ekonomia. Pothuajse të gjitha bizneset në Kosovë mezi e presin kthimin e mërgatës për pushime, nga të cilët mbijetojnë dhe mbajnë mijëra familje. Mërgata me remitencat e saj përbën një të tretën e buxhetit të Kosovës. Pothuaj të gjithë mërgimtarët ëndrrojnë që një ditë të kthehen të jetojnë në Atdheun e tyre, qoftë edhe për t’mos i lënë eshtrat në vende të huaja. Shkrmtari ynë i madh me famë botërore, jo më kot shkruante vargjet:
“Ata që shpikën shpejtësinë reaktive,
Larg Atdheut sigurisht do të kenë qenë ndonjëherë”. (Moskë 1960)
Mërgata ka luajtur rol të madh në të gjitha periudhat: Lidhja e Prizrenit, koha e Rilindjes Kombëtare, deri te lufta e fundit çlirimtare. Ajo, në vazhdimësi, ka marrë frymë me atdheun e saj, duke punuar e ndarë nga kafshata e gojës për lirinë, çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Kjo është dëshmuar sidomos nga viti 1981, pas demonstratave popullore në Kosovë. Mërgata patriotike shqiptare, e udhëhequr nga ideologët e saj, sot dëshmorë të kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Zijah Shemsiu, Ali Hadri e shumë të tjerë, doli hapur në mbrojtje të kërkesave të studentëve dhe mbarë popullit shqiptar për Republikën e Kosovës.
Janë të panumërta tubimet kulturore, demonstratat, grumbullimi i mjeteve financiare, ndjekjet dhe burgosjet e mërgimtarëve pas kthimit në Atdheun e tyre për pushime, deri te vrasjet nëpër burgjet serbe. E njëjta gjë vazhdoi edhe gjatë viteve të ’90-ta. Formimi i degëve të partive legale politike, organizimi i këshillave të 3%-shit, aksionet e ndryshme për shkollën shqipe në Kosovë dhe ndihmat e shumta gjatë tërë periudhës së okupimit serb, kanë qenë shtyllë e fortë e mbijetesës.
Se vërtetë mërgata ka qenë krah i fortë i Kosovës, dëshmon edhe lufta çlirimtare. Një numër i madh syrësh lanë familjet e tyre dhe u kthyen në frontin e luftës. Shumë prej tyre ranë dëshmorë. Pjesa tjetër u mobilizuan në grumbullimin e mjeteve financiare dhe mjeteve të tjera ushtarake, deri te gjërat ushqimore, veshëmbathje, barna dhe mjete të tjera mjekësore. Me një fjalë, mërgata shqiptare, kudo në botë, u mobilizua në të gjitha fushat e jetës krah për krah qytetarëve brenda në Kosovë.
Këto dhe shumë arsye të tjera hedhin poshtë çdo tendencë qëllimkeqe për mohimin e të drejtës elementare të votës. Mërgata është e barabartë dhe gëzon të gjitha të drejtat si çdo qytetar brenda në Kosovë. Është mendim i padrejtë, përçarës, qëllimkeq, meskin dhe politikë destruktive të mendohet, e aq më keq të flitet publikisht për një gjë të tillë.
Mërgata gjithnjë ka marrë frymë bashkë me Kosovën. Ajo ka lëvizur njëjtë, ashtu siç kanë lëvizur ngjarjet në Kosovë që nga viti 1981.
Duhet thënë patjetër se pas çlirimit të Kosovës ajo ishte harruar plotësisht, sidomos nga njerëzit që kishin vepruar për disa vite në mërgatë. Kthimi i tyre në Kosovë dhe “harresa” për mërgatën kishte krijuar një zhgënjim tepër të madh. Zhgënjimi më i madh ishte te një pjesë e Qeverisë së Kosovës që vepronte atëherë në mërgatë. Kryeministri i atëhershëm, Bujar Bukoshi, dhe ministri i Financave, Isa Mustafa, as që e përmendën ndonjëherë mërgatën. Bile ky i fundit, Isa Mustafa, ishte ndër të parët që kishte kërkuar t’i mohohej e drejta e votës mërgimtarëve. Madje, ai nuk kishte dhënë asnjëherë llogari për Fondin e 3%, Dardania Bankë në Tiranë dhe mjetet e huazuara me vendim qeveritar për kthimin e tyre pas çlirimit. Kjo kishte irrituar së tepërmi mërgatën shqiptare. Ajo ishte e zhgënjyer edhe me të gjitha premtimet dhe mospërmbushjen e tyre. Tashmë gjenerata paksa më e moshuar kishte filluar të pasivizohej, duke mos i besuar askujt. Njëkohësisht, të njëjtit merreshin më shumë me të kaluarën dhe me njëri-tjetrin, duke u mbyllur tërsisht brenda vetes, ndërkohë që gjeneratat e reja po rriteshin dhe po shkolloheshin në një kohë tjetër.

Mund të jetë një imazh i 4 persona
Në këso rrethanash, subjekti më i ri, Lëvizja Vetëvendosje, kishte gjetur një terren të përshtatshëm veprimi. Kishte arritur t’i thithë të rinjtë dhe të rejat e shkolluara në vendet perëndimore. Për dallim nga prindërit e tyre, ata kishin mundësi reale të depërtonin në institucionet e ndryshme të vendeve ku jetojnë, të bashkëpunonin me personalitete të shumta dhe natyrshëm t’i lidhnin me Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo gjeneratë kishte energji dhe dije të organizohej në një shkallë më të madhe dhe në përputhje me kërkesat e Kosovës. Për dallim nga gjeneratat më të vjetra, të rinjtë kohët e kaluara, si demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e viteve të ’90-ta dhe kohën e lavdishme të UÇK-së, i shohin si ngjarje të mëdha historike, por nuk i ndjejnë emocionalisht sikurse ata që i kanë përjetuar dhe bartur mbi supe.
Në këtë mënyrë, në Kosovë u krijua një perceptim i gabuar se gjoja mërgata voton vetëm për VV-në, gjë që ishte plotësisht e pavërtetë. Kjo gjeneratë e mërgatës sonë asesi nuk lidhet me emra të ndryshëm, por me lëvizjet politike aktuale brenda dhe jashtë Kosovës. Me një fjalë, është një kohë tjetër që ka prodhuar energji dhe koncepte të tjera politike për zhvillimin normal të Kosovës së pasluftës si një shtet modern evropian.
Duke mos i njohur rrethanat dhe arsyet e vërteta, zëra të ndryshëm po bërtasin nëpër studio televizive si altoparlantë të shkoqur se gjoja mërgata e tëra është me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Këta zëra të mekur, përveç që shpërfaqin mëllefin e tyre personal kundër një subjekti, janë tepër të dëmshëm për interesin e përgjithshëm zhvillimor të Kosovës. Përpjekjet për t’ia prerë degët e trungut ku qëndron në këmbë Kosova, duke e lidhur interesin personal apo grupor mbi interesin e përgjithshëm, me ose pa vetëdije, çojnë ujë në mullirin e armiqve të kombit shqiptar.
Mërgata shqiptare gjithsesi mbetet e përkushtuar dhe e lidhur ngushtë me Atdheun e saj, pavarësisht tendencave të ndryshme dhe interesave të ngushta klanore. Mërgata, gjithsesi, voton ashtu siç votohet në Kosovë, natyrisht me specifikat e saj, duke qenë disa më aktivë dhe disa të tjerë si elektorat pasiv dhe i heshtur. Nga ana tjetër, mërgata votën e saj nuk e lidh me interesa familjare si punësimi dhe tenderët e ndryshëm. Interesi i vetëm i mërgatës ka qenë dhe ka mbetur zhvillimi dhe emancipimi shoqëror karshi vendeve ku jetojnë dhe veprojnë. Zërat kundër mosvotimit të mërgatës gjithsesi janë vetëm zëra inatesh, mëllefesh dhe interesash të ndryshme që nuk qojne askund. Natyrisht nuk mund të kalojnë pa efekte negative të cilat nuk na duhen dhe nuk i ndihmojnë askujtë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Bielefeldit të Gjermanisë ka njoftuar se është dorëzuar…