PSE E KANDIDOI LDK-ja AVDULLAH HOTIN

30 dhjetor 2020 | 23:09

Skicë për analizë

Milazim KRASNIQI

Kandidimi nga ana e LDK-së i Avdullah Hotit për kryeministër është veprim normal, sepse ashtu partia e vlerëson dhe identifikohet me kryeministrin e vet. Diçka tjetër është jonormale në këtë parti: paaftësia e saj që të ristrukturohet e të reformohet. LDK ka mbetur e vetëbllokuar në metodat e hartimit të politikave dhe të përzgjedhjes së kuadrove, pa iu përgjigjur realiteteve konkrete politike e jetësore. Pa iu përgjigjur ndryshimeve demografike, që ndodhin ndër vite në shoqërinë tonë. Pa iu përgjigjur ndryshimit të pritshmërisë së diasporës, e cila një herë e një kohë, me shumicë absolute identifikohej me LDK-në, por që në liri u injorua edhe nga LDK-ja. Pa iu përgjigjur ndryshimit të shijeve kulturore, që në kohën e globalizimit është marramendëse. Pa iu përgjigjur ndryshimeve gjeopolitike që kanë ndodhë e po ndodhin vazhdimisht në rajon e në botë. Prandaj, udhëheqësia e saj është e vjetëruar, më shumë në koncept, se sa në moshë.
E vetmja gjeneratë që ka mundur ta bënte reformën rrënjësore të LDK-së, ka qenë Forumi Rinor i viteve 1997-1999, por asaj gjenerate nuk iu dha shansi. Ajo gjeneratë u çmontua nga “qëndrestarët”, pra, nga ata që pas çlirimit u barrikaduan dhe refuzuan çfarëdo ideje për reforma. Ata spekuluan se gjoja fati i LDK-së varej vetëm prej tyre, ndërsa u veshën me pushtet e qeverisën me “ata të malit” për këto 20 vjet dhe jetuan si veshka në dhjam. Por, partinë pothuajse e fundosën. “Nuk i qëndruan bakllavës” siç do të thoshte Adem Demaçi.
Tash është rasti të reflektojnë edhe ata që morën për LDK-në, një kryetar me qira, sepse thjesht nuk deshën të lejonin reforma nga brenda. Sollën njeriun që ishte specialist i kombinimeve, kalkulimeve, manipulimeve, por që nuk ka kurrfarë strategjie të fuqizimit të LDK-së. Vetë fakti që për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nxori si kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin, e cila nuk e kishte votuar Isa Mustafën as për kryeministër, tregon prirje për kombinime të panatyrshme, për kalkulime joparimore, për manipulim me prestigjin e LDK-së. Largimi i Vjosa Osmanit me gjithë atë pajë politike, të dhuruar nga LDK-ja, zbulon shkurtpamësinë e udhëheqjes aktuale të LDK-së. Me atë veprim shkurtpamës, LDK-ja ia ka vështirësuar edhe më shumë punën kandidatit që e ka propozuar sot për kryeministër. Cinikët mund të thonë se e kanë vu për të djegur përfundimisht. Unë nuk jam cinik, prandaj mendoj se kandidimi i Hotit, përveç si veprim me inercion, është edhe shkaku i situatës pa shtegdalje, ku ka ngecë LDK-ja.
Përndryshe, po të mos ishin bërë këso gabimesh trashanike, LDK-ja në këto zgjedhje do të mund të garonte me mundësinë potenciale të dilte partia e parë, veçmas po të kihet para sysh performansa problematike e Albin Kurtit si kryeministër, me ç’rast ai vuri në sprova serioze raportet e Kosovës me SHBA-në. Gjithsesi këtu mund të llogariteshin edhe sfidat që ka PDK-ja, për ta mbuluar mungesën e kryetarit të partisë në fushatë. Por, me këto politika shkurtpamëse, LDK me Isa Mustafën në krye, e ka vështirë të shfrytëzojë edhe rrethanat e favorshme që i ka përpara. Ngushëlluese në këtë mes është se ky nuk është rasti i vetëm që e lëshon LDK-ja, për të diktuar ritmin në skenën politike. Ka rrezik që po e korrë atë që ka mbjellë para njëzet vjetëve, barrikadimin, vetëbllokimin, vetëkënaqësinë, autizmin politik.

(30 dhjetor 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas mbi katër orë e gjysmë prej kur ka ndodhur…