Pse është e rëndësishme poezia dhe sa vlerë terapeutike kanë vargjet?
Poezia është jetë dhe jeta ka nevojë për poezi …
Të gjithë kemi nevojë për vëmendje, dhe fjalët janë po aq të rëndësishme sa përqafimet, puthjet dhe përkëdheljet. Mungesa e gjuhës së duhur krijon distancë dhe ndarje. Përdorimi i gjuhës bashkëkohore të imponuar nga celularët, interneti dhe rrjetet sociale e bëjnë marrëdhënien më të varfër, banale, të shëmtuar, vulgare, të dhunshme, pa emocione dhe pa përmbajtje. Gjuha duket të jetë më e pakuptueshme, e kontraktuar dhe plot simbole.
Një studim mbi përdorimin e fjalëve u prezantua me rastin e daljes në treg të librit “Parlare in Versi” (Të flasësh me vargje) – libër që i kushtohet leximit dhe kulturës në përgjithësi.
“Fjalët janë të rëndësishme sepse krijojnë marrëdhënie”, thotë autori i librit, Saro Trovato, “pasi mungesa e fjalëve adekuate për t’u dhënë njerëzve të afërt në mënyrë të pashmangshme gjeneron shkëputje dhe krizë”. Bagazhi gjigant i përvojës që na ofron poezia dhe protagonistët e saj janë një dhuratë për të përmirësuar veten dhe marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi.
Poezia është vuajtje, dashuri, arratisje, shkelje, lumturi, luftë, liri. Po ashtu është ndjenjë, emocion, ndjeshmëri. Prandaj, këtu lind ideja e një libri të aftë për të stimuluar përdorimin e fjalëve të bukura. Poezia e duhur në kohën e duhur, për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve në të cilat vargjet poetike mund të ndihmojnë për ta përballuar jetën me harmoni dhe respekt më të madh për të tjerët”.
Sipas studimit, njerëzit janë më shumë në kërkim të frazave dhe vargjeve për t’u përpjekur të pushtojnë të tjerët. Një përdorim funksional që fatkeqësisht nuk gjeneron një pasurim efektiv kulturor. Në përgjithësi ata që përdorin vargje, kanë njohuri edhe mbi origjinën e vargut.
Mungesa e fjalëve të duhura mund të ketë pasoja. Për shumicën e njerëzve, mungesa e fjalëve mund të jetë një burim zhgënjimi dhe mund të gjenerojë turp dhe pafuqi. Dhe, vetëm nëntë për qind janë të bindur se kanë gjithmonë fjalët e duhura në dispozicion.
Kur ju thonë fjalë të bukura ndjeni respekt të menjëhershëm, nderim, dashuri, mirëqenie, miqësi. Frazat e tilla në përgjithësi gjenerojnë hapje dhe harmoni në marrëdhënie. Por ka edhe një pakicë që nuk u pëlqen kur marrin fjalë të tilla, për ta fjalë të tilla gjenerojnë antipati, mbyllje, ankth dhe mërzi.
Cilat janë format shprehëse nga të cilat nxirren edhe frazat që përdoren?
Frazat e zgjedhura vijnë më shumti nga bota e poezisë, librat, tekstet e këngëve dhe filmat.
Kur ndihet më shumë nevoja për të gjetur fjalët e duhura për t’i përdorur?
Fillimi i një marrëdhënieje është momenti kur ndihet më shumë nevoja për të kërkuar vargje dhe fraza. Rreshtat dhe frazat adekuate janë gjithashtu të rëndësishme për të ngushëlluar në momente të pakëndshme. Fjalët e bukura janë të dobishme edhe në miqësi dhe në familje. Për vargje dhe fraza adekuate ndihet nevoja edhe në botën e punës, veçanërisht në marrëdhëniet me punëdhënësin, me kolegët dhe me eprorët, në marrëdhëniet me klientët.
“Të flasësh me vargje” është një libër i lindur nga besimi se fjalët e bukura, vargjet poetike mund të jenë burimi i jetës për zhvillimin e marrëdhënieve pozitive dhe konstruktive. I shkruar nga Saro Trovato, ideja e librit ishte të krijonte një udhëzues për të ndihmuar në zgjedhjen, shpejt dhe menjëherë, të frazës së duhur të marrë nga poezitë klasike dhe më bashkëkohore për t’u përdorur sipas momentit ose situatës. /Gazeta “Si”/