Pse është Kosova pjesë e vlerave Evropiane?

15 qershor 2019 | 11:25

Shkruan: Rreze Xhemajli

Bashkimi Evropian si një projekt i paqes vlerat bazë të të cilit janë: barazia, liria, dinjiteti njerëzor, demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, toleranca, për ne është një shembull në bazë të të cilit kemi orientuar qëllimet tona.

Kosova si një shtet i ri, është ndërtuar mbi idealin lirisë dhe demokracisë si vlera universale. Vendi ynë 20 vite pas luftës e di më së miri si është të fitohet liria nga një shtet okupues, përmes përkushtimit gjithëpërfshirës duke nënkuptuar edhe luftën. Që nga krijimi i shtetësisë, Kosova ka shtyrë përpara proceset dhe standardet të cilat kërkohen nga shtetet e reja që synojnë aderimin në BE, gjë që ende ka shumë punë për të bërë, por rëndësi ka që kemi lëvizur në raport me këto vlera dhe përparimi është evident në shumë fusha.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj.

Barazia gjinore një vlerë themelore e Bashkimit Evropian, Kosovën sot e gjen më një përmirësim të dukshëm të pozitës së gruas në shoqërinë tonë me theks të veçantë në fushën e politikës ku tereni është më i ashpër. Kemi pasur një presidente grua, një e treta e deputeteve në Parlament janë gra, gjithashtu një nga ministritë më të rëndësishme në vend, ajo e Integrimit Evropian udhëhiqet nga një grua. Në fushën e politikës së jashtme kemi disa ambasadore gra, të cilat e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë dinjitoze. Shpresa më e madhe për përparim të mëtutjeshëm është vetëdijesimi i një numri relativisht të madh të grave për të drejtat e tyre, për të cilat sot ato ngrisin zërin, zgjedhin protestën për t’i adresuar, gjë që ka ndikuar që të paktën të hidhen hapat fillestarë drejt mposhtjes së patriarkatit.

Jemi vend i tolerancës etnike, fetare dhe kulturore. Kemi bërë diskriminim pozitiv sa i përket të drejtave të minoriteteve. Në Kosovë jetojnë njerëz me besime të ndryshme fetare, por me tolerancë për njëri tjetrin, vlerë kjo e përhershme e vendit tonë.

Në aspektin ekonomik Kosova ka kaluar nga ekonomia centraliste në ekonomi liberale të tregut. Duke e njohur tregun evropian, si një i konkurrencës së lartë, ne duhet të shfrytëzojmë përparësitë krahasuese, d.m.th. të specializohemi në prodhimin e atyre mallrave që burimet natyrore, karakteristikat e krahut të punës dhe faktorët e tjerë na mundësojnë. Disa nga përparësitë krahasuese të vendit tonë janë: potenciali njerëzor (kemi një popullsi të re dhe mirë të kualifikuar, sidomos në fushën e teknologjisë), potenciali gjeografik (kemi kushte të volitshme klimatike, infrastrukturë të re, resurse natyrore). Një nga fushat përmes së cilës mund të kemi përparësi të krahasuar për eksport në tregun evropian është bujqësia. Turizmi nga ana tjetër mund të jetë pikë e fortë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Perspektiva evropiane e Kosovës dhe e Ballkanit Perëndimor ishte premtuar që nga viti 2003, kur është mbajtur Samiti i Selanikut, ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ajo që kemi nevojë sot, është që shtetet evropiane dhe sidomos pesë shtetet të cilat nuk na njohin si: Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia të pranojnë realitetin e krijuar si shtet i pavarur. Duhet të na jepet mundësia fillimisht për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian, vlerë kjo elementare, dhe më pastaj e drejta për t’iu bashkuar familjes Evropiane.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Operatori me përmbajtje më atraktive si dhe internet më stabilnë…