Pse evropianët po kërkojnë ta mbrojnë NATO-n?
Aleatët e NATO-s mblidhen në Uashington për një takim të nivelit të lartë që mbahet prej nesër deri më 11 korrik.
Perspektiva e rikthimit në pushtet, të Donald Trumpit, kritikut më të madh të aleancës ushtarake, po dominon diskutimet në mesin e aleatëve.
NATO – e përbërë nga 32 vende evropiane dhe të Amerikës së Veriut, të angazhuar për të mbrojtur njëri-tjetrin nga sulmet e armatosura – do të theksojë forcën përmes solidaritetit, ndërsa feston 75 vjetorin e themelimit të saj, gjatë takimit që fillon të martën.
Joe Biden, i cili doli të tërheqë aleatët në një rrjet global për të ndihmuar Ukrainën të luftojë agresionin rus, e ka quajtur aleancën, më të unifikuar se kurrë ndonjëherë.
Por në prapaskenë, një temë dominuese do të jetë përgatitja për ndarje të mundshme, në kushtet e një rritje të partive të së djathtës ekstreme, jo miqësore me NATO-n, si në SHBA ashtu edhe vende të tjera, përfshirë Francën.
Një gjë e tillë ka ngritur shqetësime rreth asaj se sa e fortë do të jetë mbështetja për aleancën dhe ndihma ushtarake që vendet anëtare të NATO-s dërgojnë në Ukrainë.
Evropianët thonë se duan të “institucionalizojnë” mbështetjen për Ukrainën brenda NATO-s, duke redukatuar varësinë nga SHBA-të.
Evropianët thonë se vendet e NATO-s po koordinojnë deklaratat për Ukrainën për të bërë të qartë, për shembull, se një përshkallëzim tjetër nga Rusia do të përballej me sanksione dhe ndëshkime të tjera të forta nga Perëndimi, dhe kjo edhe nëse SHBA-të nën një administratë të re Trump, nuk do të vepronin.