Pse heshtin qytetet tona?
Ark. Xhelal Llonçari
Artur Evansi, arkeolog anglez, gjatë udhëtimit të tij nëpër viset tona ka regjistruar kalanë e Pejës me tiparin e vet karakteristik të tipit fushor. Me kohë, kalaja pëson dëmtime të konsiderueshme, por ende i kishte konturat dhe disa pjesë të muranave. Pas Luftës së Dytë botërore, pushteti komunist stimulon shkatërrimin e mbetjeve të kalasë, me qëllim të zhbërjes së identitetit tonë. Kështu, ata ia dolën ta çrrënjosin tërësisht si strukturë fizike. Pjesën tjetër e kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë ne, duke u pajtuar shumë lehtë me këtë akt që nuk është i kryer në te gjitha dimensionet ekzistenciale, por ne po vazhdojmë ta konsideromë si të tillë. Kjo mund të vërehet pa mund të madh, sepse sot arkitektura e Pejës nuk e manifeston ekzistencën e kalasë në asnjë mënyrë arkitektonike e as muzeale dhe, kësisoj, gjeneratat e reja as që e dinë se Peja ishte qytet me kala në një anë, ndërsa, në anën tjetër, nuk i kanë të njohura në tërësi të bëmat e ish-pushtetit në fushën e arkitekturës. Asnjë objekt bashkëkohorë që do ta kishte reminishencën e kalasë, asnjë artefakt, përveç shkrimeve … thuajse i ka mbetur dikujt që t’i lexojë ato nëpër sirtarët e komunave në planet shterpe zhvillimore.