Pse ia përmendin vazhdimisht Mimoza Kusarit çadrën e Gadafit dhe vallëzimin para tij

16 shkurt 2023 | 13:44

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ia ka vendosur një nofkë të re ushtrueses së detyrës së grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila – “Çadra e Gadafit”.

Ky epitet iu është dhënë Kusari-Lilës nga ana e Abazit përgjatë konferencës për media, ku u deklarua pas shkarkimit të tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme nga qeveria Kurti.

“Këtë valle ne e kemi parë në të kaluarën, çadra e Gadafit ka shkatërruar parti politike, ka bërë përçarje politike. Çadra e Gadafit ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme që dikur kanë qenë kauza të LV-së. Çadra e Gadafit është nënshkruese edhe e marrëveshjes së demarkacionit”, ka thënë Abazi të enjten në një konferencë për media.

Por, nga i ka ardhur Abazit ky epitet për Kusari-Lilën?

Kusari-Lilës iu është përmendur shpesh “vallëzimi i Gadafit” nga figura të ndryshme politike.

Më 2011-ën një delegacion 128-anëtarësh, ishte nisur me mision lobimi në Libi. Gjithçka ishte organizuar nga presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Pjesë e delegacionit ishte edhe deputetja e tashme, Mimoza Kusari-Lila.

Pjesë e lobimit të këtij delegacioni nuk përfshihej edhe këngët e vallet para diktatorit tashmë të ndjerë të Libisë, Muammar Gaddafi.

Gazeta “The Economist” kishte raportuar rreth episodit poshtërues të vitit 2010, të delegacionit të AKR-së në Libi.

“Në Ballkan u diskutua gjatë kur Pacolli dërgoi një delegacion të madh të kosovarëve në Libi, si pjesë e përpjekjes për t’ia ndryshuar orientimin pro-serb, dhe për ta bërë atë që të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një pikë të agjendës, i gjithë delegacioni u dërgua në mes të shkretëtirës për ta takuar liderin libian. Me të arritur, Gadafi urdhëroi ata që të këndonin dhe të kërcenin. Kur ata u lodhën dhe u ndalën, u qortuan nga një ndihmës. Më vonë koloneli i mirë u tha se mund të ndalonin, para se t’i linte për të shtuar se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës derisa liderët e tyre vazhdojnë të mbesin kukulla të Amerikës. Me këtë kosovarët e poshtëruar u kthyen në shtëpi”, kishte shkruar “Economist”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo sapo ka publikuar fotografi të trupit të saj me…