Pse ka rëndësi njohja nga Kenia?

29 mars 2025 | 13:07

Si shtet me fuqi të konsiderueshme në Afrikën Lindore, njohja e Kosovës nga Kenia shkaktoi reagime të shumta në Kosovë dhe Serbi. Liderët e dy vendeve shfaqën shpresa dhe shqetësime për ndikimin e mundshëm, të cilin eksperti Gëzim Visoka e cilëson si një “pikë kthese”.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë shtete e kanë njohur shtetësinë e saj. Por, shumë të tjera, si në kontinentin afrikan, ende refuzojnë ta bëjnë këtë, për shkak të shqetësimeve për lëvizjet separatiste brenda shteteve të tyre.

Qysh në takimin e parë të mbajtur nga Unioni Afrikan (UA) këtë muaj, Maroku – që udhëheq presidencën e këtij institucioni për muajin mars – bëri thirrje për mbrojtjen e “integritetit territorial”, si mënyrë për të ruajtur stabilitetin në kontinent.

Njohja nga Kenia mund të sjellë një ndryshim të kësaj politike, duke nxitur që edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.

Gëzim Visoka, autor i librit “Çnjohja e shteteve”, thotë se, nëse institucionet angazhohen, kjo mund të jetë një “pikë kthese në favor të Kosovës”.

“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, thotë Visoka për Radion Evropa e Lirë.

Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, thotë se, në të ardhmen, Kosova duhet të synojë 10 deri në 12 njohje brenda vitit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se njohja nga Kenia mund të nxisë një trend të njohjeve të Kosovës.

Ai tha se, personalisht, do të bisedojë me udhëheqës të Afrikës Lindore për të parandaluar “përhapjen e trendit [të njohjes së Kosovës]”.

Ai, gjithashtu, paralajmëroi se në dy javët e ardhshme do të ketë tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga dy vende afrikane, por nuk i specifikoi.

Edhe në të kaluarën, Serbia ka njoftuar për tërheqje të njohjeve nga vende si: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana e të tjera.

Shumica prej vendeve për të cilat Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen, janë nga Afrika.

Visoka, më herët, i kishte cilësuar çnjohjet e pavarësisë së Kosovës si “akte të çrregullta”, që nuk kanë kuptim në rastin e Kosovës, pasi që arsyet e përmendura në njohjet fillestare – si konstatimi i 2010-tës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare – nuk kanë ndryshuar.

“Në shumicën e rasteve, çnjohjet ndodhin prej shteteve që janë kryesisht vende post-koloniale, pa traditë të gjatë diplomatike dhe që njihen për politikë të ndryshueshme të jashtme, që e ndërrojnë varësisht prej ndihmës financiare, ekonomike, bile edhe ushtarake, që marrin prej fuqive rajonale ose ndërkombëtare”, kishte thënë Visoka.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës e ka akuzuar Serbinë për presion ndaj shteteve për mosnjohjen apo tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, Serbia po shpërfill zotimet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që palët arritën në Ohër më 2023, përmes “refuzimit të njohjes së Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare”.

Linku i plotë i shkrimit:

https://www.evropaelire.org/a/pse-ka-rendesi-njohja-nga-kenia/33363272.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Astrit Gashi Pas certifikimit të zgjedhjeve në prill, Kosova…