Pse ka skepticizëm te shqiptarët emërimi i Borrellit për shef të diplomacisë evropiane?
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integrimeve evropiane nuk besojnë se propozimi i kryediplomatit spanjoll Josep Borrell Fontelles për postin e përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme i BE-së se do të ndikojë keq për Kosovën.
Ata kanë thënë se nuk duhet paragjykuar rolin e kryediplomatit spanjoll në këtë post.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomati Lisen Bashkurti, ka thënë se emërimi i diplomatit spanjoll Josep Borrell Fontelles në krye të shërbimit të jashtëm të BE-së ka ngjallur skepticizëm në mjaft qarqe politike dhe diplomatike evropiane.
“Te shqiptarët e Kosovës ky skepticizëm duket të jetë më i lartë. Unë i kuptoj arsyet historike, politike, mentale dhe psikologjike të shqiptarëve të Kosovës për këtë skepticizëm. Por, natyrisht, nuk i justifikoj ato”, ka thënë Bashkurti për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka thënë se duhet bërë dallimin në mes të Fontelles si diplomat i Spanjës dhe Fontelles si kryediplomat i BE-së pasi, sipas Bashkurtit, ka një ndryshim themelor.
“I pari përfaqësonte interesat kombëtare të Spanjës, politikën e jashtme dhe diplomacinë e saj, i dyti interesat e Bashkimit Evropian, politikën e jashtme dhe diplomacinë e organizatës. I pari përfaqësonte një shtet, Spanjën, i dyti njëzetetetë shtete, pra BE-në. Midis politikës së jashtme dhe diplomacisë së Spanjës dhe politikës së jashtme dhe diplomacisë së BE-së ka dallime dhe ngjashmëri. Dallimet konsistojnë në dimensionin kombëtar spanjoll, ngjashmëritë në linjat e përbashkëta të BE-së. Kalimi nga diplomat nacional në diplomat i BE-së nuk lejon parimisht dhe praktikisht që të barten apo të transferohen politikat e diplomacia nacionale në nivele evropiane të BE-së”, ka thënë Bashkurti.
Sipas tij, diplomati i BE-së vepron nën flamurin e organizatës dhe në mbrojtje të linjave të politikës së jashtme dhe diplomacisë së saj. “Ky proces është i rregulluar qartësisht në të drejtën ndërkombëtare, diplomatike dhe konsullore të OKB-së, e cila bën dallimin midis diplomatëve të shteteve nacionale dhe atyre të organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu, Traktati Lisbonës i BE-së, në kapitullin e tretë, për politikën e jashtme dhe të sigurisë, në artikujt për Veprimin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), përcakton qartë dallimin midis shërbimit të jashtëm të BE-së nga ai i shteteve individuale”, është shprehur Bashkurti.
Kurse kryetari i Bordit Ekzekutiv të Institutit EPIK, Taulant Kryeziu, ka deklaruar se sa i përket nominimit të Borrellit për përfaqësues të lartë të BE-së nuk duhet nxituar me gjykime rreth qëndrimeve të tij në kohën sa ka shërbyer ministër i Jashtëm i Spanjës.
“Asokohe qëndrimi i lidershipit të Spanjës ndaj Kosovës ishte i qartë dhe puna e z. Borrell ka qenë që ta zbatojë këtë qëndrim. Në rolin e tij të ri, si përfaqësues i jashtëm i BE-së, z. Borrell nuk do t’i përfaqësojë interesat e Spanjës, por të 28 vendeve anëtare të BE-së. Si i tillë, z. Borrell do t’i zbatojë politikat e përcaktuara nga liderët e 28 vendeve anëtare në mirëbesim. Në këtë drejtim, politikat e BE-së ndaj Kosovës janë të qarta. Kosova ka perspektivë të zgjerimit, në harmoni me vende të tjera të rajonit”, ka thënë ai.
Kryeziu ka thënë se fakti që Borrell vjen nga një vend mosnjohës mund të shërbejë edhe si avantazh.
“Pasi ai mund të ushtrojë një ndikim më të theksuar drejt vendeve mosnjohëse të BE-së, duke u konsideruar aktor neutral dhe i besueshëm nga to. Marrë parasysh pozicionin e Spanjës si një vend mosnjohës, do të thotë se z. Borrell do të shihet si një figurë më simpatike në Beograd sesa shumë figura të tjera evropiane. Nëse kjo shfrytëzohet mirë, kjo do t’i japë atij një shkallë të madhe të ndikimit atje. Po ashtu, Borrell ka një mundësi të madhe para vetes, Serbia nuk mund t’i qaset në mënyrë armiqësore atij, duke ditur faktin që ai do të ketë ende ndikim në Madrid”, ka thënë Kryeziu.
Muhamet KOCI