Pse Kina nuk po mbron anijet tregtare në Detin e Kuq?
Një sulm nga militantët Houthi të Jemenit ka dëmtuar një anije në Gjirin e Adenit. Ky është sulmi më i fundit në një seri sulmesh nga ky grup, që godet anijet tregtare amerikane dhe britanike si hakmarrje për luftën e Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës. Më herët gjatë javës një anije u fundos pasi u godit nga një raketë, ndërsa SHBA dhe Britania kanë goditur baza të grupit militant, me qëllimin e vetëm të mbajnë të sigurt këtë rrugë tregtare. Por sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Karla Babb ekspertët ngrenë pyetjen se pse nuk po reagon Kina, edhe pse rreth 40% e tregtisë midis Evropës dhe Azisë kalon përmes Detit të Kuq.
Kjo është një nga anijet e mallrave që po fundoset në Detin e Kuq, pasi u godit nga një raketë e grupit militant Houthi muajin e kaluar.
“Rubymar” është anija e parë e fundosur nga grupi militant, por ata kanë dëmtuar dhjetëra të tjera që nga mesi i nëntorit dhe madje kanë hipur në një anije.
“Këtu jemi në mes të një krize të vërtetë sigurie, e cila është për kaq shumë njerëz një krizë ekonomike dhe diplomatike në rajon, dhe Kina nuk po shihet askund”, deklaroi senatori republikan, Todd Young.
Ushtria amerikane dhe ajo e Britanisë kanë kryer sulme të shumta kundër objektivave Houthi në Jemen për të shkatërruar armët dhe radarët e përdorur për të goditur anijet tregtare, një problem që nxiti një seancë dëgjimore në Senat javën e kaluar.
“Anijet tona dhe njerëzit tanë atje janë të rrezikuar. Kina është vendi që preket më shumë nga mbyllja kësaj rruge të tregtisë në Detin e Kuq dhe megjithatë ata janë duke qëndruar indiferentë duke u shtirur sikur janë miqtë e të gjithëve”, deklaroi Mitt Romney, Senator Republikan.
“Shohim një rritje të sulmeve. Kjo është absolutisht e papranueshme. Kur flasim për një problem ndërkombëtar, ka nevojë për një zgjidhje ndërkombëtare. Duhet që kinezët të angazhohen në mënyrë shumë më agresive”, deklaroi Tim Lenderking, i dërguari special i SHBA për Jemenin.
Një zëdhënës i Ambasadës së Kinës në Uashington i tha së fundmi Zërit të Amerikës se “Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të mbrojtur sigurinë e rrugëve ndërkombëtare të transportit”.
Kina njoftoi se flota e saj e 46-të më 21 shkurt doli në aksion, por Zëri i Amerikës nuk në qenë në gjendje të konfirmojnë mbërritjen e flotës në rajonin e Detit të Kuq.
“Ne do të mirëprisnim që Kina të kishte një rol produktiv, por në dijeninë time, në këtë fazë ata nuk kanë ofruar dhe nuk po kryejnë ndonjë lloj operacioni për të ndihmuar në mbrojtjen e marinarëve ose të transportit ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, gjenerali Pat Ryder.
Analistët paralajmërojnë se ndërsa kinezët janë përpjekur të ndihmojnë me problemet ndërkombëtare, në disa raste gjatë dekadës së fundit, përfshirja e tyre nuk ka qenë gjithmonë për arsye humanitare.
“Ekziston gjithashtu dyshim i besueshëm se ata mund të dërgojnë anije vetëm për të mbledhur informacione mbi performancën e teknologjisë sonë të zbulimit të raketave dhe dronëve. Ajo që unë mendoj është se Kina do të përpiqet të ndihmojë pak në kauzën e përgjithshme, por do të jetë më e përqendruar të mbrojë anijet e veta dhe të mësojë se çfarë po bëjnë SHBA-të”, thotë Michael O’Hanlon, nga Instituti Brookings.
Pekini njihet në rajon si blerësi më i madh i naftës së papërpunuar të Iranit, por deri më sot nuk ka treguar se ka ndikim të mjaftueshëm mbi Iranin për të ndaluar sulmet me raketa nga militantët Huthi të mbështetur nga ky vend.
Militantët thonë se anijet nga Kina dhe Rusia mund të kalojnë të sigurta përmes Detit të Kuq, por një cisternë që transportonte naftë ruse u godit nga një raketë Houthi në fillim të këtij viti./VOA