Pse liberalët stërmundohen për t’u përballur me ndryshimin epokal

12 janar 2025 | 08:36

Nga Ivan Krastev

Teksa vëzhgoja dëshpërimin e liberalëve në të gjithë botën pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, pata një ndjesi të ngjashme me diçka që kam përjetuar më parë. Ky moment më ktheu pas në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit, duke shënuar fillimin e fundit të komunizmit sovjetik dhe heqjen e Perdes së Hekurt, e cila kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore. Dallimi ishte se bota që u shemb në vitin 1989 ishte e tyre, pra e komunistëve. Tani është e jona, e liberalëve.

Në vitin 1989, jetoja në një shtet të Paktit të Varshavës, dhe kur bota u përmbys isha në vitin e fundit të studimeve të filozofisë në Universitetin e Sofjes në Bullgari. E gjithë ajo eksperiencë ndihej si një kurs i zgjatur universitar në ekzistencializmin francez. Të shihje fundin e papritur të diçkaje që na kishin thënë se do të zgjaste përgjithmonë ishte një ndjenjë tronditëse – çliruese dhe shqetësuese njëkohësisht. Ne, studentët, ishim të pushtuar nga ndjenja e re e lirisë, por ishim gjithashtu të vetëdijshëm për brishtësinë e çdo gjëje që kish lidhje me politikën. Ajo ndarje radikale mes dy kohëve rezultoi të ishte një përvojë përcaktuese për brezin tim.

Por ajo këputje ishte edhe më e gjerë – në një shkallë globale më të madhe – se sa e kuptonim në atë kohë. Viti 1989 ishte me të vërtetë një annus mirabilis, por shumë ndryshe nga mënyra se si liberalët perëndimorë e kanë përshkruar në tre dekadat e fundit. Vendosmëria që Partia Komuniste e Kinës tregoi në shtypjen e lëvizjes pro-demokracisë në Sheshin Tiananmenit rezultoi të kishte ndikim më të fortë, sesa rrëzimi i Murit të Berlinit.

Për rusët, aspekti më i rëndësishëm i vitit 1989 nuk ishte fundi i komunizmit, por fundi i perandorisë sovjetike, me tërheqjen e trupave të saj nga Afganistani. Ishte pra, viti kur Osama bin Laden shpalli fitoren e xhihadistëve ndaj BRSS-së ateiste. Dhe 1989 ishte gjithashtu viti kur nacionalizmi filloi të rimerrte epërsi politike në ish-Jugosllavi.

Rikthimi i Donald Trump-it në pushtet në SHBA mund të jetë një tjetër rast që shënon një ndarje të tillë politike me përmasa të mëdha. Nëse liberalët duan t’i përgjigjen sfidës së një administrate të re të Trump-it, ata duhet të reflektojnë me kujdes për atë që ndodhi në vitin 1989 dhe të hedhin poshtë narrativën që i kanë thënë vetes deri sot. Mënyra më e mirë për të kapërcyer dëshpërimin është të kuptosh më mirë atë që ka ndodhur.

Nga një këndvështrim liberal, krahasimi i revolucioneve anti-sovjetike të vitit 1989 me revolucionet illiberale të ditëve të sotme mund të duket skandaloz. Në frazën e famshme të Francis Fukuyama-s, 1989 ishte “fundi i historisë,” ndërsa fitorja e Trump-it, sipas shumë liberalëve, mund të paralajmërojë fundin e demokracisë.

Viti kur ra Muri i Berlinit shihej si triumfi i Perëndimit; tani dominon diskursi për rënien e Perëndimit.

Shembja e komunizmit shënohej nga një vizion për një të ardhme demokratike dhe kapitaliste; ajo e ardhme tani është plot pasiguri.

Në vitin 1989, atmosfera ishte ndërkombëtare dhe optimiste; sot ajo është kthyer në nacionalizëm dhe herë pas here, edhe nihilizëm.

Por këmbëngulja mbi këto ndryshime midis asaj kohe dhe tani bën që të humbasësh thelbin e ngjashmërive të tyre. Të jetosh në momente të tilla të historisë të mëson shumë gjëra, por më e rëndësishmja ndër to, është shpejtësia e ndryshimit: njerëzit mund të ndryshojnë totalisht pikëpamjet dhe identitetin e tyre politik brenda natës; ajo që vetëm dje konsiderohej e pamendueshme, duket sot e vetëkuptueshme. Ndryshimi është aq i thellë saqë njerëzit i shohin shpejt si krejt të pakonceptueshme, ato që ishin dikur supozimet dhe zgjedhjet e tyre.

Trump-i rroku imagjinatën e publikut jo sepse kishte një plan më të mirë për të fituar luftën në Ukrainë, apo për të menaxhuar globalizimin, por sepse kuptoi që bota e djeshme nuk mund të ekzistonte më. Identiteti politik i pasluftës i Shteteve të Bashkuara, ka humbur në greminën e kutisë së votimit. Kjo administratë e Trump-it mund të ketë sukses ose mund të dështojë sipas rrethanave, por bota e vjetër nuk do të kthehet më. Madje shumica e liberalëve as nuk e duan më. Pak amerikanë ndihen sot mirë me idenë e “veçantisë amerikane.”

Pas fitores së Trump-it, disa komentatorë politikë i kthyen sytë drejt viteve 1930, kur fashizmi kërcënonte botën. Problemi është se vitet 1930 janë përtej kujtesës së gjallë, ndërsa vitet 1990 janë ende të freskëta për shumë prej nesh. Ajo që kam mësuar nga ajo dekadë është se një këputje politike radikale, u jep fituesve një “çek të bardhë”. Të kuptuarit e arsyes pse njerëzit votuan për Trump-in nuk ndihmon shumë, për të kuptuar atë që ai do të bëjë në zyrë.

Thyerje të tilla politike arrihen nga koalicione të paimagjinueshme më parë, të bashkuara më shumë nga intensiteti, sesa një program i përbashkët. Politikanët që i përkasin këtyre koalicioneve zakonisht kanë një aftësi të ngjashme me kameleonin për t’iu përshtatur momentit – jo më shumë, në kohën tonë, sesa Trumpi.

Liberalët amerikanë, të cilët janë hutuar, se si ka mundësi që njerëzit mund ta trajtojnë një playboy miliarder si udhëheqës të një lëvizjeje anti-establishment, mund të kujtojnë se Boris Jelsini, heroi i revolucionit antikomunist të viteve 1990 në Rusi, vetëm pak vite më herët kishte qenë një nga udhëheqësit e Partisë Komuniste.

Ashtu si fundi i epokës sovjetike, rizgjedhja e Trumpit do të ketë dimensione globale. Ajo shënon fundin e Shteteve të Bashkuara si një perandori liberale. Amerika mbetet fuqia kryesore e botës, po, dhe do të mbetet një lloj perandorie, por nuk do të jetë një perandori liberale. Siç ka dëshmuar historia e njollosur e Biden-it për mobilizimin e mbështetjes për mbrojtjen e “rendit ndërkombëtar liberal” përballë pushtimit rus të Ukrainës, vetë ideja e një rendi të tillë, sipas shumë kritikëve kish qenë gjithmonë një trillim perëndimor. Ajo ekzistonte për sa kohë që SHBA-të kishin fuqinë dhe vullnetin politik për ta imponuar.

Trumpi nuk do ta bëjë këtë. Në politikën e jashtme, Trumpi nuk është as realist, as izolacionist; ai është revizionist. Trumpi është i bindur se SHBA është humbësja më e madhe, në botën që ka krijuar po vetë. Sipas pikëpamjes së tij, në tre dekadat e fundit Amerika është bërë një peng, dhe jo një hegjemon i rendit ndërkombëtar liberal. Në botën e pasluftës, SHBA integroi me sukses kundërshtarët e vet të mundur, Gjermaninë dhe Japoninë, në qeverisjen demokratike, tregtinë ndërkombëtare dhe begatinë ekonomike. Kjo nuk u zbatua për Kinën: sipas këndvështrimit të Trumpit, Pekini ka qenë fituesi i vërtetë i ndryshimeve të pas 1989-ës.

Ardhja e dytë e Trumpit do të jetë padyshim e ndryshme nga e para. Në 2016, takimi i Trumpit me pushtetin amerikan ishte si një nga ato takimet e një çifti, që nuk janë njohur kurrë më parë. Ai nuk dinte me saktësi se çfarë donte, dhe pushteti amerikan nuk dinte me saktësi se kush ishte Trumpi. Jo më.

Amerika mund të mbetet demokraci, por do të bëhet më e egër. Nën udhëheqjen e re, institucionet e saj me siguri do t’i largohen sigurisë së politikës konsensuale dhe do të marrin kot. Në kohë ndryshimesh të shpejta, udhëheqësit politikë nuk përpiqen ta administrojnë shtetin, por ta mundin atë. Ata i shohin shtetin dhe “shtetin e thellë”, si sinonime. Udhëheqësit joliberalë i zgjedhin anëtarët e kabinetit ashtu sikurse perandorët zgjidhnin dikur guvernatorët e provincave rebele: Ajo që ka më shumë rëndësi është besnikëria e të emëruarit, dhe aftësia e tij për t’i rezistuar kooptimit apo korruptimit prej të tjerëve.

Në administratën e parë të Trumpit, mbretëroi kaosi; administrata e tij e dytë do të mbretërojë duke përdorur kaosin si armë. Kjo Shtëpi e Bardhë do të mposhtë kundërshtarët duke “përmbytur terrenin” me urdhra ekzekutivë dhe deklarata. Ai do të lërë shumë kundërshtarë të hamendësojnë se përse po merr vendimet që merr dhe do t’i çorientojë të tjerët me shpejtësinë dhe sasinë e tyre.

Në vitin 2020, Bideni mundi Trumpin duke premtuar normalitet. Normaliteti nuk do t’i ndihmojë më demokratët. Në shembullin më të fundit të një fitoreje antipopuliste, Donald Tusk triumfoi në zgjedhjet parlamentare të Polonisë në vitin 2023 dhe u kthye si kryeministër, jo sepse premtoi normalitet, por sepse partia e tij, Platforma Qytetare, ishte në gjendje të krijonte një identitet të ri bindës politik. Partia e Tusk miratoi qëndrime më progresive për çështje të tilla të diskutueshme si të drejtat e abortit dhe mbrojtja e punëtorëve, por gjithashtu u mbështoll me flamur dhe përqafoi patriotizmin. Tusk u ofroi polakëve një narrativë të re dhe pompoze, jo thjesht një strategji të ndryshme zgjedhore. Suksesi i Platformës Qytetare varej ende nga formimi i një koalicioni me partitë e tjera, një bazë potencialisht e brishtë për qeverisje, por ajo ofron, të paktën, një model se si qendra liberale mund të ribëhet dhe të frenojë përparimin e populizmit joliberal.

Rreziku për Shtetet e Bashkuara është i lartë: vitet e ardhshme, politika amerikane mund të bjerë kollaj në një hakmarrje mizore çikërrimash, ose më keq. Por nuk do të ishte e mençur që liberalët t’i përgjigjen këtij momenti duke vepruar si mbrojtës të një status quo-je që po zhduket. Kjo do të nënkuptonte thjesht reagimin ndaj çdo gjëje që bën Trumpi. Mendësia e rezistencës mund të jetë mënyra më e mirë për të kuptuar tiraninë, por nuk është mënyra më e mirë për të trajtuar një moment këputjeje radikale politike, në të cilin tirania është e mundur, por jo e pashmangshme.

Në 1989, politologu Ken Jowitt, autor i një studimi shumë të mirë të kryengritjeve komuniste në atë periudhë, “Kaosi i Ri Botëror”, vërente se një këputje e tillë i detyron udhëheqësit politikë të hartojnë një fjalor të ri politik. Në momente të tilla, fjalë që më parë kanë qenë magjike nuk funksionojnë më. Slogani “Demokracia në rrezik” nuk u solli dobi demokratëve gjatë zgjedhjeve, sepse shumë votues nuk e shihnin vetë Trumpin si rrezik.

Siç vërente shkrimtari George Orwell, “është një përpjekje konstante që të shikosh atë që ke mu përpara hundës”. Sfida e të kuptuarit të të resë, edhe atëherë kur fakti i mbërritjes së saj është i pamohueshëm, do të thotë se ndjeshmëritë e liberalëve do të pësojnë tronditje kur të shohin se sa pak lotë do të derdhen për fundin e rendit të vjetër. Ndryshe nga sa dukej korrekte në vitin 2016, detyra e kundërshtarëve të Trumpit sot nuk është që t’i rezistojnë ndryshimit politik që ai ka sjellë, por ta përqafojnë atë – dhe ta përdorin këtë moment për modelimin e një koalicioni të ri, për një shoqëri të re. / The Atlantic – Bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon sot me tri ndeshje…