Pse Lirak Çelaj i dhuroi këtë varëse ambasadores izralite?
Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, zëvendësministri në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj i ka dhuruar ambasadores së Izraelit në Beograd dr. Alona Fisher Kamm një punim dore – varëse e bërë nga duart e vajzave dhe grave viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë takimit me ambasadoren Fisher-Kamm, zëvendësministri Çelaj e ka njoftuar atë me historinë e dhimbshme të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës nga forcat serbe.
Çelaj ka folur për shpresën e rikthimit në jetë të këtyre vajzave dhe grave, të cilat këto varëse i kanë punuar duke treguar një forcë të madhe dhe kurajo për jetën.
“Secila nga këto varëse është e punuar me dashuri me forcën e mbi shpresën e rindërtimit të jetës. Secila paraqet vuajtjen e përjetimit më të tmerrshëm njerëzor”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) ku vajzat dhe gratë mblidhen dhe bëjnë punime dore për të siguruar ekzistencën, një prej të cilave Çelaj sot ia dhuroi ambasadores.
Çelaj këtë mesazh e ka përcjellë tek znj. Fisher duke bërë të ditur përkushtimin dhe shpresën e grave për të luftuar traumën duke dhënë shpresë për jetë kështu dhe tek të tjerët.
Në Kosovë sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës llogaritet se janë 20 mijë vajza dhe gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës 1998-99.