Pse lumpeni politik po sulmon presidentin Begaj?

21 gusht 2023 | 17:33

Presidenti Begaj është vënë ditët e fundit në kritika brenda vendit lidhur me refuzimin e ftesës së kryeministrit grek Mitsotakis për të marrë pjesë në një samit që ky i fundit ka organizuar me krerët e vendeve të Ballkanit perëndimor.

Fillimisht ftesa për darkën informale ka qenë e parashikuar për kryeministrin Rama, por pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit për Himarën të koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’ në zgjedhjet lokale të 14 majit, marrëdhëniet Mitsotakis-Rama janë përkeqësuar ndjeshëm me kërcënime nga pala greke e me një reagim të kreut të qeverisë.

Pas anulimit të ftesës për kryeministrin Rama, një e tillë i ka shkuar papritur presidentit Begaj, i cili e ka hedhur poshtë për shkak të një axhende të ngjeshur e të përcaktuar shumë kohë më parë.

Më poshtë janë dhjetë pika, që sqarojnë pozicionin e presidentit Begaj lidhur me ftesën greke si dhe sulmin që i bëhet atij nga lumpeni politike në vend.

1. Darka informale është mes Kryeministrash dhe Presidenti eshte jo në nivelin e tij protokollar.

2. Në darkë ka qenë planifikuar të jetë kryeministri Rama ndërkohë që Begaj prej muajsh ka patur të planifikuar një axhendë të ngushtë familjare dhe presidenti nuk është nr. 2 i ambasadës shqiptare në Athinë që t’i përgjigjet ndryshimit të ftesës së kryeministrit grek në minutën e fundit.

3. Axhenden e një kryetari shteti nuk e cakton kryeministri i një vendi fqinj, sado mik të jetë ai.

4. Ministrat e këtij vendi mik dhe aleat kërcënojnë hapur Shqipërinë me bllokim në BE, për një çështje të drejtësisë shqiptare dhe të pushtetit vendor të Republikës së Shqipërisë, tani si mundet Presidenti I Republikës të pranojë një nëpërkëmbje të tillë. Duke vajtur në një darkë kur gjendet shteti i tij në një agresion verbal???

5. Meqë jemi tek vendimet e gjykatave, Greqia nuk njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare për detin, për marrëveshjen e firmosur nga Berisha dhe e ka vënë Shqipërinë në agresion diplomatik ndërkombëtar, kryesisht presioni ka qenë kundër Presidentëve Meta e Begaj, atëherë pse Kryetari i Shtetit duhet të ulet në një darkë informale kur presioni ndaj tij është i hapur prej atij vendi (aleat).

6. Meqë jemi tek çështjet e hapura, Greqia kërkon të vendosë një çështje që nuk ekziston në një tryezë ndërkombëtare siç është çështja Beleri, ndërkohë që heqjen e Ligjit të Luftës para 20 vjetësh në Samitin e Selanikut ia kishin premtuar Fatos Nanos dhe jo vetëm që se kanë hequr por e përdorin publikisht sa herë kanë nevojë.

7. Çështja çame dhe çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, jo vetëm çame por edhe shqiptarëve të tjerë nga Kosturi e deri në Selanik nuk u është dhënë kurrë e drejta e marrjes së pronave në shtetin demokratik të Greqisë, pasi gjykatat nuk i njohin këto prona, atëherë si mund të kërkosh që Kryetarin e një shteti ‘mik’ ta nëpërkëmbësh publikisht për çështjen Beleri, kur padrejtësia historike ndaj vendit të tij është tashmë e zhdukur nga Historia e Greqisë me dhunë dhe forcë.

8. Le të vijmë te çështja Beleri. Ka qenë Sali Berisha që e ka kandiduar Belerin pavarësisht se 30 vite me parë, po ai e shpalli terrorist. Si mund të ndërhyjë Kryetari i Shtetit tek Gjykatat pavarësisht sa herë ndryshon humorin Berisha e i shpall njerëzit tradhtarë e terroristë, e pastaj martirë e heronj, tek e fundit këtë ka bërë me Azem Hajdarin.

9. Presidenti Begaj ka patur në dorë të shpallte zgjedhjet e reja në Himarë siç bëri në Kukës. Tek e fundit Safet Gjici u arrestua pas Belerit, por pikërisht për shkak se ka dashur të respektojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mos i hedhë benzinë zjarrit të debatit me Greqinë, por pret betejën në Gjykatë, por për këtë Presidenti i një shteti anëtar të NATO-s nuk mund të vihet në presion publik si nga Greqia, ashtu dhe nga opozita e vendit te tij.

10. E fundit. Presidenti është Kryetari i Shtetit dhe jo pastrues rrugësh i sherreve që bëjnë të tjerët, sherret që bën Rama me grekët, pasi fillimisht bëhet vëlla e shkuar vëllait. Njësoj si me Vuçiçin le t’i zgjidhë Rama, kurse martesat që bën Berisha me grekët pasi në vitin 1997 i shpalli armiq, po ashtu le t’i zgjidhë Berisha. Presidenti Begaj ka vetëm një detyrë. Të jetë Kryetari i shqiptarëve, në një shtet demokratik dhe dinjitoz, jo në një han ku të gjithë e dinë Kreun e Shtetit si këmbët e dhisë. /Hashtag.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë…