“Pse nuk shkoni në veri”, “kërcënimi” ndaj karabinierëve italianë që i kushtoi shtrenjtë prizrenasit. Flet mbrojtja
Shprehja “pse nuk shkoni në veri” i ka kushtuar shtrenjtë Ahmet Krasniqit nga Prizreni. Ai për këtë shprehje drejtuar ushtarëve italianë në Lubiqevë të Prizrenit ishte arrestuar në shtëpinë e tij nga forca të shumta policore duke i shkaktuar trauma edhe familjes së tij.
Mbrojta e Krasniqit që përfaqësohet nga Gent dhe Blend Gjini kanë thënë për Telegrafin se nuk ka asnjë element që kjo të cilësohet vepër penale, derisa ata pretendojnë se klienti i tyre pa të drejtë i është nënshtruar paraburgimit duke i shkaktuar pasoja të mëdha shëndetësore.
Mbrojtja ka shprehur shqetësimet për rastin lidhur me ngjarjen e ditës kritike në njërin prej fshatrave të qytetit të Prizrenit ku i mbrojturi i tyre Ahmet Krasniqi ishte arrestuar dhe paraburgosur për “kërcënimin e KFOR-it italian”.
“Mbrojtja e Ahmet Krasniqit do ta vërtetoj pafajësinë e klientit se në ditën kritike nuk ka pasur kërcënim dhe se nuk janë përdorur fjalët kërcënuese dhe aq më tepër nuk është penguar në kryerjen e detyrave të saj KFOR-i italian. Pra mjaftojmë të analizojmë ketë fakt se si është e mundur të behet një bujë e madhe kur i mbrojturi ynë Ahmet
Krasniqi në drejtim të KFOR-it italian ka përdorur vetëm shprehjen “përse nuk shkoni atje në veri””. Ahmet Krasniqi po dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi Personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i Personelit në marrëdhënie me to”.
“Një fakt tjetër është se klienti ka qëndruar në paraburgim në burgun e Sigurisë së lartë, duke e paragjykuar rastin që është bërë mjaft mediatike, mirëpo me ankesën e drejtuar nga avokatet ne Gjykatën e Apelit, ankesa aprovohet dhe ndaj Ahmet Krasniqi i zëvendësohet masa e Arrestit Shtëpiak për 1 muaj”.
“Pasi që lënda do të vazhdon me procedurën e provave dhe me deklaratat e dhënë nga palët në procedurë ne pa mëdyshje do të vërtetohet pafajësia e klientit tonë Ahmet Krasniqi”, thuhet në njoftimin e avokatëve mbrojtës.