Pse nuk u ndërtuan 160 çerdhet e premtuara nga Kurti?
Përmes investimeve në 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7 % në 24 % për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38 % në 64 % për fëmijët e moshës 3-6 vjeç.
Edhe pse Qeveria e Kosovës është në fund të mandatit, 160 çerdhe nuk arritën të përfundohen.
Deri më tani sipas Ministrisë së Arsimit janë përfunduar vetëm 44 çerdhe, në të cilat përfshihen edhe shkolla të adaptuara në çerdhe si dhe ato të cilat ishin në proces të ndërtimit.
Kurse sipas MAShTI-t, 4 çerdhe janë në proces të tenderimit.
E krejt fajin për mos realizimin e premtimit MAShTI ia ka hedhur komunave.
“Me të marrë mandatin kemi ndarë buxhetin e mjaftueshëm si dhe kemi bërë një analizë të fizibilitetit për nevojat e ndërtimit të çerdheve. Si Ministri e Arsimit, secilën kërkesë të Komunave e kemi trajtuar me kohë dhe nuk ka asnjë kërkesë nga komunat që nuk ka marrë përgjigje. Siç e dini, ndërtimi i çerdheve nuk mund të bëhet pa një kërkesë nga komunat. Deri më tani nga komunat kemi pranuar vetëm 25 propozime të lokacioneve. Një pjesë e madhe e tyre kanë probleme pronësore, probleme të terrenit të papërshtatshëm për ndërtim, probleme me madhësinë e sipërfaqeve të parcelave etj. Përkundër që janë planifikuar afër 40 çerdhe për ndërtim dhe adaptim në këtë vit, nga Komunat deri më sot kemi pranuar vetëm 6 leje për fillimin e procedurave të tenderimit ndërsa kemi edhe disa kërkesa të pakompletuara”, tha këshilltarja për media në MAShTI, Edona Kutleshi-Maliqaj.
Të nevojshëm ndërtimin e këtyre çerdheve po e shohin ekspertët e arsimit.
“Kemi mungesë të institucioneve parashkollore dhe çerdheve dhe të sektorit publik por që ky premtim i dhënë ka qenë më shumë premtim paraelektoral dhe si shumë premtime të tjera që nuk janë mbajtur edhe ky bënë pjesë në atë grup”, tha eksperti i arsimit, Argjend Osmani.
E nga Insituti Ed Guard kërkojnë që të mos përdoret hapja e këtyre çerdheve vetëm si premtim.
“Nuk guxojmë ta përkufizojmë vetëm në investime kapitale, në ndërtim të çerdheve publike por edhe në rritje dhe riadaptim të hapësirave aktuale. Ajo qasje e çeljes shkollave dhe çerdheve vetëm për përftime elektorale duhet me u tejkalua insitutcionet tona duhet me mëndu adaptimin e hapësirave aktuale në mënyre që kjo përfshirje me e rritur në arsimin parashkollor të jetë e garantuar për të gjitha komunat dhe gjithë nxënësit”, tha Rinor Qehaja.
Në muajin maj të këtij viti përmes një konference për media, Ministria e Arsimit iu kishte bërë thirrje komunave për bashkëpunim në ndërtimin e çerdheve.