Pse opozita duhet ta votojë kryetarin/en e Kuvendit

28 prill 2025 | 14:18

Behxhet Sh.  SHALA – BAJGORA

Lojë e pandershme  në pandershmërinë institucionale: Për shtatë herë radhazi ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës shkaku se LV-ja këmbëngul që Lenka Haxhiu të zgjidhet kryetare e Kuvendit e opozita ka mendim tjetër prandaj refuzon ta votojë. Ka marrë në thua Lenka në numrin e 57 votave, pamjaftueshëm ta kalojë Rubikonin. Marioneta numër një e Kurtit që po i “udhëheq” seancat e Kuvendit, Avni Dehari luajti lojëra të palejueshme për të mundësuar zgjedhjen e marionetës numër 2 për kryetare të Kuvendit. Sa poshtë ka ra katundi! Po flitet se Albin Kurthi po e rrënon reputacionin dhe “emrin e mirë” të kandidates për kryetare të Kuvendit duke e djegur në një zjarr të shkurtër siç janë votimet në Kuvend. Aspak e vërtetë; Kurthi vetëm po e trajnon për një fazë të mëvonshme sipas modelit “Avni Dehari”. Lenka e ka pranuar rolin me përkushtim, “besnikëri” dhe nënshtrim ndaj Partisë së mos – Punës LV-së. Lenka nuk e ka problem reputacionin sepse ka bagazh të “fuqishëm” profesional, integritet të pa (k)thyeshëm dhe kapital të madh të shërbimeve ndaj partisë dhe Liderit Suprem. As EXFIS-i nuk do të kishte mundësi të fuste më shumë gaz lotsjellës se që e bëri Lenka Haxhiu prandaj mbështetur në parimet e meritokracisë, me asgjë nuk mund të kundërshtohet! Në planin intelektual dhe profesional i kisha do dyshime (kush jam unë që dyshoj) por deklarimet publike të autoriteteve intelektuale dhe profesionale si dhe vlerave të pariciklueshme njerëzore, kombëtare, politike dhe morale si Dilmal Basha, Faton si Peci, Haxhi Qamili, ekstazitë e Perzerenit, Mef Bajçina, Alil Tači, paramilitari dhe mercenari i Ministrisë së Financave në me krye “nobelisten” Arbërie Pambuku më larguan çdo dyshim, jam për Lenkën, kryetare,  sekretare, arkatare, administratore, prokurore, notere dhe përmbaruese e kësaj maratone të turpshme të quajtur mos-konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Çfarë dëmi mund të shkaktojë Lenka: Në rrethana tjera do të bënte shumë dëm, në raportin aktual të forcave asgjë hiç! Përveç se do të bëhej një marionetë jofunksionale. Albin Kurthi nuk i ka votat për KM prandaj e hedhë Lenkën si zaret për të bllokuar procesin. Kraki-itjet e pozitës se kinse opozita po e bllokon zgjedhjen e kryetarit / es së Kuvendit nuk vlejnë as për pesë cent sepse opozita nuk e ka detyrim të sigurojë vota për pozitën shkaku se partia e Albin Kurthit kurrë dhe në asnjë rast nuk e kishte votuar kandidatin e mëparshëm të pozitës së atëhershme për kryetar të Kuvendit. Kadri Veselin Albin Kurthi e kishte quajtur person kontrovers kurse Lenka Haxhiu e pati quajtur kriminel themeluesin, luftëtarin e orëve të para të UÇK-së dhe bartësinë e posteve të larta shtetërore, njeriun me merita të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës, Kadri Veselin. Aktualisht opozita ka një epërsi politike, të numrave, kreditit moral dhe kombëtar prandaj duhet, vullnetarisht dhe pa kushte të zhbllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit që po bllokohet pikërisht nga pozita e që nënkupton se bllokuesi përcaktues është Albin Kurthi. Albin Kurthi ka një qëllim, Lenka Haxhiu po përdoret si mjet për arritje të këtij qëllimi që kryekëput është marrja dhe mbajtja e pushtetit.

Të shohim gjendjen aktuale: Opozita e ka nxjerrë në lendinë dhe fushë të hapur Kurthin duke e lënë lakuriq, si mbretin në përrallat e Andersonit në numrin e 57 votave, numër i gurëzuar në të gjitha votimet e deritashme. Pamjaftueshëm për Lenkën Spiropali si dhe për Kurthin KM numër 3. Duhet të jam i sinqertë dhe ta pranoj se që nga përfundimi i luftës nuk kemi pasur Kuvend që ka mbajtur seanca më të rregullta; më parë rrallëherë mbanim 3-4 seanca brenda muajit, tash kemi seanca të rregullta çdo 48 orë. Ky ritëm i seancave i përshtatet Kurthit, aspak opozitës. Opozita duhet ta nxjerrë Kurthin nga manipulimi i seancave çdo 48 orë e që nuk kanë afat kufizues ligjorë kur përfundojnë prandaj, duke e përfunduar konstituimin e Kuvendit krijohen kushtet ligjore që Kurthi të futet në afate kohore pa mundësi t’i shtyjë deri në pafundësi. Me funksionalizimin e Kuvendit krijohen kushtet që Kurthi të dërgohet në opozitë ose ta arnojë një qeveri me 61 deputetë, me jetëgjatësi të fluturës. Pastaj, edhe nëse sigurohen 61 vota për funksionalizim të Kuvendit, përsëri pozita do të ketë vetëm 57 deputetë,  do të mbetej dhe varej nga mëshira e opozitës. As Lenka Haxhiu e as Albin Kurthi nuk mund të provokojnë zgjedhjet e parakohshme, pa vullnetin dhe pajtimin e opozitës. Vetëm nëse ka një marrëveshje midis pozitës dhe opozitës që pas konstituimit të Kuvendit, ai të shpërndahet dhe të shkohet në zgjedhje, mund të bëhet ndonëse askush ndonëse fjalët i kanë babush, nuk janë të interesuar për zgjedhje të reja.

Kuvendi duhet të debllokohet, ky do të duhej të ishte vendimi unanimisht i deklaruar nga opozita, nuk ka mundësi tjera! Çdo zvarritje i përshtatet Kurthit, ai e luan këtë lojë.

Opozita duhet të funksionalizojë Kuvendin për të hetuar dhe shkarkuar kriminelët e ZRrE-së, për të hetuar shpenzimin e 700 milionë eurove për blerje të rrymës, për të hetuar përshtatjen e kushteve të tenderëve për kompanitë greke të Micotakisit, pa asnjë përvojë e që ia rruan Kosovës qindra milionë euro për riparim të kaldajave të termocentralit Kosova A , B dhe C. Duhet të hetohet edhe vrasësi i Brezovicës nga Shqipëria që në ortakëri me filojugosllavin, Jeton Qurroi bënë ekocid në Brezovicë. I njëjti, me vetëm dy punëtorë (Mic Sokola) i përlau mbi 160 milionë euro Kosovës duke tregtuar me rrymë sipas parimit të “bacës Martin”: “shitë lirë, blejë shtrenjtë…”. Qytetarët po varfërohen krejt dhe drejt nga qeverisja e paaftë që donë ta vazhdojë keqbërjen përmes bllokimit të Kuvendit. Opozita duhet ta pengojë këtë. Opozita nuk e ka asnjë detyrim ta votojë propozimin e pozitës për themelim të Kuvendit por se është interes publik të mbrojnë interesat e qytetarëve të Kosovës njëherësh votues të tyre.

Mos u futni në labirinthin e Kurthit, dilni në ballë të proceseve dhe merrni përgjegjësi. Kosova po shndërrohet në një vend ku shpresa nuk vdesë e fundit por e para. Zhbllokojeni procesin që po përpiqet të bllokohet nga Kurthi dhe ministrat që përveç pagave të larta,  në emër të mëditjeve i marrin nga 16 mijë euro në vit.

Të jesh apo të mos jesh, është çështje tani….zhbllokimi i bllokimit të procesit nga antikombëtarët dhe keqbërësit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur një armëpushim në Ukrainë…