Pse PD-ja nuk vjen dot në pushtet
Nga Bedri Islami
Mjaft njerëz, edhe nga ata që në tetë vjet kanë votuar për të majtën në qeverisje dhe për shefin e saj, Edi Rama, do të kishin dashur një rotacion të natyrshëm qeverisës dhe kjo për shumë arsye, që nga tradita e krijuar në vitet e pluralizmit për alternimin e pushtetit në çdo tetë vjet e deri tek ideja e lodhjes së një qeverie dhe amortizimi i saj.
Përballë së majtës në pushtet qëndron PD në opozitë. Është e natyrshme që opozita të kërkojë të jetë në drejtimin e shtetit aq sa është e natyrshme që shumica ta kërkojë qeverisjen e saj. Në fakt, alternimin dhe mosnjohjen e qeverisë aktuale opozita e ka shpallur si kredo të saj që ditën e parë të pas-humbjes të vitit 2013 dhe për tetë vjet ka mbajtur në këmbë grupin e saj të zjarrit dhe shpresëhumburit se kjo qeveri, në mos sot, do të bjerë shumë shpejt dhe se vetëm fundi i saj do të jetë shpëtimi i këtij vendi.
Që pas humbjes së qershorit 2013, opozita forcërisht dhe qorras, si askund tjetër, ka shpallur kredon e saj politike drejt asgjësimit të çdo vlere, krijimit të një turbulence të vazhdueshme në politikë, revoltën e shpallur si mjet dhe e përdorur në praktikë si dëshirë për arritje të pushtetit; ajo ka joshur padurimshëm të gjithë militantët e saj me idenë e marrjes shumë shpejt të pushtetit dhe megjithëse gjithçka ka qenë një betejë e humbur, nuk ka arritur as atë që mund të kishte arritur më seriozisht, përmes idesë dhe një norme të krijuar nga vetë ajo. Disa nga momentet më groteske të saj do të përmblidheshin tek politika e Çadrës në bulevard, ku shefat merrnin takim dy herë në ditë si në një ritual të zakonshëm, ndërsa mbrëmjet ishin mbushur me qoftet e shpërndara nga restorantet pronë e shefave të PD-së; një çadër ku dy figurat e opozitës, njëri haptas, Basha, dhe ku ishte deri asaj dite më i sinqertë, e tjetri fshehtas, Meta, synonin përmes një ngrehine çadrore të shembnin një qeverisje që e gjeti zgjidhjen përmes joshjes.
Çdo gjë që ishte thënë aty, çdo përbetim që ishte shfaqur, çdo synim që ishte afishuar mori fund në një takim pak orësh mes shefit të qeverisë dhe shefit të opozitës, të cilat morën formën e një shpërblimi grotesk të një pallati të shembur në Vlorë, që edhe ashtu ishte jashtë çdo rregulli, ndarjes së përkohshme të pushtetit, si një tortë që duhet provuar së bashku dhe krijimit të një hapësire të pazakontë për shefin e së majtës që kërkoi, gjeti e mori gjithë tepsinë e pushtetit me një goditje të vetme.
Të gjitha dihen dhe janë të njohura. Ndoshta ajo që duhet gjetur deri në fund ka lidhje me njeriun që e solli në Tiranë nga Prishtina idenë e ngritjes së Çadrës, që përkoi me gjetje pak a shumë të njëjta edhe në një vend tjetër, që dikur kishte hedhur miliona dollarë për destabilizimin e Shqipërisë, në shtetin serb.
Problemi është tani: a do të ketë rotacion të pushtetit, kjo është e para dhe së dyti, nëse do të ketë, a është gati opozita e tashme për të qeverisur?
Rotacioni i pushtetit është krejt i mundshëm, nëse alternativë përballë dhe njerëzit që e bartin këtë alternativë kanë mbi vete vlera dinjitoze, janë të besueshëm, njerëzorë dhe me mend në kokë.
Cilat vlera ka sjellë në tetë vite opozita, që në fund të fundit, ashtu si ndodhi në vitin 2005, njerëzit të thonë se diçka ka ndryshuar, se tashmë të rënët nga pushteti janë ndryshe dhe se një trupë drejtuese e besueshme është duke ardhur?
Problemi nis pikërisht këtu. Vlerat që përpiqet të shpallë opozita në të gjithë këto vite, të cilat kanë ndërruar herë pas here, me një lëkundshmëri të habitshme, janë pikërisht ato që nuk të ngjallin besim, për më tepër të krijojnë largësi dhe ftohtësi.
Ideja e tyre themelore në fushën e ekonomisë dhe të financës për taksën e sheshtë është krahu i fortë që i jepet asaj që pikërisht opozita e mallkon ditë e natë, megjithëse të pashpallur konkretisht se kush fshihet pas saj: oligarkia politike dhe financiare. Taksa e sheshtë forcën pikërisht këtë shtresë, që edhe kështu, në këto vite, jo vetëm është forcuar, por është bërë harbut ndaj ligjit, shtetit dhe njerëzve. Qëndron mbi to dhe, përmes kësaj takse do të jetë edhe më e plotfuqishme. Në fakt, ata që tani, nga droja e ndërrimit të pushtetit, kanë nisur të investojnë në segmentë të ndryshëm dhe të fuqishëm të opozitës, sidomos tek ata që kanë qenë në pushtet, familja kryeministrore apo që mendohet se do të jenë elita e ardhshme drejtuese.
Në tetë vjet, duke mallkuar, opozita nuk ndërtoi. Duke krijuar imazhin e kryengritësit ajo vetë ra në grevëthyese, pasi asnjëherë nuk përmbushi atë që është themelore: çuarjen deri në fund të një aksioni politik dhe mbështetjen deri në fund të një synimi. Opozita, tashmë është një llogari e njohur, ishte deri në fund mbrojtëse e sistemit të vjetër të drejtësisë, aq sa ishte e gatshme të bënte një grushtëz të vogël institucional për të mbrojtur një sekser tokash nën petkun e kryeprokurorit të republikës. Dita kur opozita e tashme synoi të mbronte me grusht dhe me çizme një sekser drejtësie dhe gjithë skutën pas tij ishte më e turpshmja për vetë atë. Ajo shkoi në këtë luftë përmes pikëpamjes berishiste që, “pas meje, të bëhet qameti”, dhe nuk mendoi se ajo ditë, kur synoi të përleshej për një dogmë që e kishte krijuar vetë, nuk e çonte askund. Për fat të keq ajo bashkoi hallin e familjes kryeministrore me synimin e saj dhe e gjitha ishte njëra ndër shëmtirat e jetës plurale.
Ama, përmes saj dëshmoi se si e përfytyron ajo drejtësinë e së ardhmes, çfarë mendimi ka ajo për ruajtjen e të drejtës së ligjshmërisë për të gjithë, si u kanë shërbyer gjykatës dhe prokurorë një klase të caktuar dhe janë pasuruar vetë duke u kthyer në një oligarki të sistemit të drejtësisë. Më shumë se gjysma e Gjykatës Kushtetuese, me njerëz të emëruar prej saj, jo rastësisht, u dëbuan nga sistemi; jo rastësisht thuajse e gjithë piramida e Gjykatës së Lartë, ku kishin deleguar njerëzit e saj, u shpall e padëshiruar; Këshilli i Lartë i drejtësisë ku vegjetonin e sundonin gjingjonër ishte bërë vendi i kapjes së sistemit.
Nëse opozita do të kishte vepruar ndryshe, do e kishte mbështetur fuqishëm këtë reformë thelbësore, ajo do të ishte tejet më e besueshme sot; me krijimin e një terreni mafioz në luftën kundër saj ajo krijoi edhe hapësirën e shumicës për të bërë derivatet e saj në sundimin në të ardhmen të këtij sistemi.
Opozita e tashme pak gjëra ka harruar nga e kaluara, edhe më pak, ka mësuar nga e tashmja. Edhe largimi njëherësh nga stafi drejtues i opozitës i disa figurave të njohura – në të vërtetë akti i vetëm real dhe revolucionar i Bashës – nuk afroi figura të tjera, të cilat do të kishin një vlerë të madhe – ngjalljen e besimit.
Largimi i klasës së vjetër, të molepsur nga korrupsioni, hajdutëria, përversiteti politik vërtet i solli dëm opozitës në zgjedhjet e vitit 2017, pasi pasuesit e tyre, sidomos në Veriun e Shqipërisë mbetën të tulatur dhe kundërshtues, por dhanë mundësinë për një lëvizje të re afrimi të atyre që duke e dashur mendimin ndryshe, nuk janë të gatshëm të përkulen ndaj shefit dhe ta shohin atë si perëndi. Ajo duhej të dëshmonte se koha e berishizmit si vlerë dhe si praktikë kishte mbaruar, por duket se forca e shefit de jure të opozitës ishte deri këtu, edhe nëse ka pasur ndër mend reforma të tjera, ata mbaruan kur u shfaq shefi de fakto. I njëjti që tashmë jo pas kulisave, por haptas, urdhëron edhe se ku duhet të kandidojë shefi i opozitës, njeriu që e mori për dore dhe i dha fronin e tij, por ia mori skeptrin e urdhëresës.
Kush erdhi në vendin e atyre që ikën: shumë prej tyre të njohur për mediokritet politik dhe qytetar, për afera financiare, njëlloj të pasur si të dëbuarit dhe po aq lakmitarë dhe të paide si ata. Nëse Basha mendon se mund të ngjallë besim e shpresë me Ballinjtë, Bardhët, Gjatat, Alibeajt, budallallëqet e Spahijve që djegin shkolla dhe nuk e kanë veshur një ditë bluzën e bardhë, shefat e Lazaratit, manjakët pushtetarë të lësëisë dhe vasilët e pamençur, Salianjët, Nard Ndokët e Dulet, aferat babale apo recitimet e Dumes – Shkaut, atëherë ai nuk ka mësuar asgjë nga tetë vitet në opozitë dhe do të ishte mirë të vazhdonte të qëndronte edhe më tej.
Nëse ai nuk e ka mësuar se jo bojkoti, por pjesëmarrja; jo largimi, por prania; jo sharja, por mendimi; jo metingashët, por të mençurit; jo të korruptuarit, por të ndershmit të sjellin në pushtet – ende asgjë nuk ka mësuar. Nëse ai nuk e di se shëmbëlltyra është sprova e një lideri, ai nuk do të blinte në harkun e një viti katër vila luksoze, ndërsa flet për varfërinë, atëherë do të bënte mirë t’i jepte lamtumirën politikës dhe të kthehej në zanatin e tij. EULEX-i dhe Gjykata Speciale ka ende nevojë për përkthyes dhe hetues!
Opozita ka rreth vetes mjaft figura që do e kishin ndryshuar fizionominë dhe shfaqjen e saj politike. Që e kanë shpallur ose nuk e kanë shpallur kredon e tyre politike që duan këtë vend më shumë se një post qeveritar.
Një opozitë që kërkon të vijë në pushtet duke pasur si paterica disa partiza që kanë vetëm kryetar duhet të mendohet mirë nëse ka gjetur rrugën e duhur, apo ajo i ka humbur që në hapat e parë.
Nëse nuk e bën këtë, të mos çuditet që Rama do të kërkojë që në maj të vitit të ardhshëm mandatin e katërt.