Pse ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Turqia po investojnë në FSK? Kështu i përgjigjet ambasadori Hill mediave serbe
Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha sot se ka çështje për të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nuk pajtohen, por se mendon se mund të punojnë së bashku pavarësisht se kanë mendime të ndryshme për disa çështje të rëndësishme, siç është Kosova.
Në një intervistë për televizionin serb K1, Hill i është përgjigjur pyetjes se cili është argumenti për faktin se Amerika së bashku me Turqinë dhe Britaninë e Madhe investojnë më së shumti në transformimin e FSK-së në ushtri.
Ai tha se ShBA-ja e ka njohur Kosovën disa vite më parë.
“Shtetet e Bashkuara kanë marrë një vendim dhe ja ku jemi. Pra pyetja është nëse ne mund të punojmë së bashku, pavarësisht se kemi mendime të ndryshme për disa çështje të rëndësishme, çështje që janë të rëndësishme për ju dhe të rëndësishme për ne. Mendimi im është se ne mund të vazhdojmë të punojmë për çështjet, edhe pse kemi mosmarrëveshje, unë nuk jam këtu për t’ju thënë se mund të biem dakord për gjithçka, por unë jam këtu për t’ju thënë se do të përpiqemi të kuptojmë situatën, të ecim përpara”, tha Hill.
Ambasadori amerikan u pyet edhe në lidhje me Rezolutën 1244, duke i thënë se Serbisë askush nuk i ka thënë se e njëjta nuk është në fuqi dhe se ajo nuk respektohet dhe se Amerika, e cila qëndron për sundimin e ligjit, po bën diçka përtej asaj rezolute.
Hill tha se nuk mund të diskutojë më për të kaluarën por tha se ajo që ai mund të bëjë është të shikojë se ku jemi sot dhe të shohë nëse ka vend për të punuar më shumë së bashku.
“Dhe mendoj se ka, megjithëse kemi disa mosmarrëveshje”, tha ambasadori amerikan.
Sipas Hill, askush nuk ishte i kënaqur me mënyrën se si u zhvilluan gjërat në vitin 1999, por ato ndodhën dhe më pas tha se arritëm në një situatë dhjetë vjet më vonë, ku kur shikoni se cilat ishin zgjedhjet, asnjë nga zgjedhjet nuk ishte e mrekullueshme dhe ShBA-ja bëri që zgjedhjen e njohjes së Kosovës.
Hill shtoi se Serbia bëri një zgjedhje tjetër, por kjo nuk do të thotë se ShBA-ja dhe Serbia nuk mund të diskutojnë për një milion çështje të tjera.
I pyetur nëse mendon se Kosova rrezikohet nga një kërcënim për sigurinë nga Serbia, siç edhe ka thënë në shumë raste kryeministri Albin Kurti, Hill tha se nuk dëshiron të flasë për atë që mendon Kurti, por theksoi se ShBA-ja dëshiron të jetë e sigurt se ka një mirëkuptim të qartë me Serbinë për atë që po tentohet të arrihet përmes bisedimeve.
“Qëndrimi ynë është se Serbia i mori seriozisht këto bisedime. Ky është një proces diplomatik. Diplomacia nënkupton bisedë. Biseda zgjat shumë. Unë e kuptoj zhgënjimin e njerëzve për këtë çështje, por ne jemi të përkushtuar”, tha Hill.
Ai theksoi se ShBA-ja po përpiqet të ndihmojë në këtë situatë, për ta bërë rajonin më të mirë dhe më të sigurt dhe për ta bërë situatën në Ballkan shumë më të mirë se sa ishte në të kaluarën.
Hill shtoi se ai nuk mund të premtojë ndonjë mrekulli apo të ndryshojë mendjen e njerëzve të tjerë për këtë, por ai mund të premtojë se ShBA-ja është serioze në përpjekjen për të zgjidhur këto çështje dhe serioze për një proces që çon në marrëdhënie më të mira midis ShBA-së dhe Serbisë.
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me fjalimin e presidentit serb, Alleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe nëse “të mëdhenjve” u pëlqen të dëgjojnë kritika për veten e tyre, Hill tha se ai e ka parë atë fjalim dhe se në epokën e komunikimeve moderne nuk ka gjë të tillë që t’i drejtohet vetëm një audience.
“Unë e kuptoj se ka zhgënjime në Serbi për shkak të ngjarjeve të dekadave të mëparshme, madje edhe të shekujve, por mendoj se Serbia duhet të kuptojë se disa njerëz do ta kuptojnë, e disa jo”, tha Hill.
Siç ka shtuar ai, asnjëherë nuk i drejtoheni vetëm audiencës serbe, por edhe publikut që nuk e njeh Serbinë.
Ai gjithashtu theksoi se përpiqet të kuptojë dhe ka të dhëna mbi të cilat mund të bazojë mendimin e tij, por që shumë njerëz nuk e bëjnë.
“Kur shikon kompleksitetin e Ballkanit sot, ai është po aq kompleks sa ishte 25 vjet më parë, por bota nuk është e fokusuar në të tani. Bota ka probleme të tmerrshme në Lindjen e Mesme, një problem i tmerrshëm me agresionin rus kundër Ukrainës, ka probleme të mëdha ekonomike në mbarë botën”, tha ai dhe shtoi se jo të gjithë do të ndalen dhe do të dëgjojnë gjithçka që po ndodh në Ballkan.
“Ne që jemi të vendosur këtu, ne që kemi për detyrë të punojmë në këto çështje, duhet t’i kuptojmë ato dhe unë kam shpenzuar shumë kohë duke u përpjekur t’i kuptoj gjërat”, u shpreh ambasadori amerikan, Hill.