Pse shkruaj
PAUL AUSTER
1
Një mikja ime gjermane tregon rrethanat që i paraprinë lindjes së dy vajzave të saj.
Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, shtatzënë dhe tashmë disa javë e vonuar për të lindur, A. u ul në divanin e dhomës së ndenjjes dhe ndezi televizorin. Rastësisht, emrat e aktorëve të një filmi sapo kishin nisur të shfaqeshin në ekran. Ishte “Historia e murgeshës”, një dramë hollivudiane e vitit 1955, me aktoren Audrey Hepburn. E gëzuar që do ta humbte mendjen për ca kohë, A. u rehatua për ta parë filmin dhe menjëherë u harrua pas tij. Kur vajti në gjysmë, pati shenjat e lindjes. I shoqi e çoi në spital dhe ajo nuk e pa kurrë përfundimin e filmit.
Tre vjet më vonë, shtatzënë me fëmijën e dytë, A. u ul në divan, ndezi televizorin edhe një herë tjetër. Edhe një herë tjetër po luhej një film dhe përsëri ishte “Historia e murgeshës”, me Audrey Hepburnin. Edhe më mbresëlënëse (dhe A. ishte shumë e habitur për këtë pikë), ajo e kishte kapur filmin në momentin e saktë ku e kishte ndërprerë para tre vjetësh. Këtë herë mundi ta shihte filmin deri në fund. Më pak se pesëmbëdhjetë minuta më vonë, i plasën ujërat dhe vajti në spital për të lindur për herë të dytë.
Këto dy vajza janë fëmijët e vetëm të A-së. Lindja e parë ishte jashtëzakonisht e vështirë (mikja ime gati nuk ia doli dhe ishte e sëmurë për shumë muaj më pas), por lindja e dytë shkoi pa probleme, pa asnjë lloj ndërlikimi.
2
Pesë vjet më parë e kalova verën me gruan dhe fëmijët në Vermont, morëm me qira një shtëpi të vjetër, të izoluar, në majë të një mali. Një ditë, një grua nga qyteti fqinj erdhi për vizitë, së bashku me dy fëmijët, një vajzë katër vjeçe dhe një djalë tetëmbëdhjetë muajsh. Ime bijë kishte mbushur tre vjeç dhe bashkë me vajzën kënaqeshin duke luajtur me njëra-tjetrën. Unë dhe ime shoqe u ulëm në kuzhinë me mysafiren tonë dhe fëmijët ia mbathën për t’u argëtuar.
Pesë minuta më vonë u dëgjua zhurma e një përplasjeje të fortë. Djali i vogël kishte hyrë në sallën e përparme në skajin tjetër të shtëpisë. Meqenëse gruaja ime kishte vendosur një vazo me lule në atë sallë vetëm para dy orësh, nuk ishte e vështirë të merrej me mend se çfarë kishte ndodhur. Nuk më duhej të shikoja për të ditur se dyshemeja ishte mbuluar me copa xhami të thyer dhe një pellg uji, së bashku me kërcellet dhe petalet e një duzinë lulesh të hapërdara.
U mërzita. “Kalamaj të mbrapshtë”, thashë me vete. “Njerëz të mbrapshtë me fëmijët e tyre të ngathtë. Kush u dha atyre të drejtën të vinin pa telefonuar më parë?”
I thashë gruas sime se do ta pastroja rrëmujën dhe kështu, ndërsa ajo dhe vizitorja jonë vazhdonin bisedën, mora një fshesë, një kosh mbeturinash, disa lecka dhe marshova përpara shtëpisë.
Ime shoqe i kishte vënë lulet në një trung druri nën parmakun e shkallëve. Kjo shkallë ishte shumë e pjerrët dhe e ngushtë, si dhe kishte një dritare të madhe jo më shumë se një metër larg nga oborri nga shkalla e fundit. E përmend këtë gjeografi sepse është e rëndësishme. Ku ishin gjërat ka të bëjë gjithçka me atë që ndodhi më pas.
Kisha shkuar deri në gjysmë punës së pastrimit kur ime bijë doli me nxitim nga dhoma e saj në katin e dytë. Isha aq afër këmbës së shkallëve sa për ta parë kalimthi (disa hapa pas dhe do të më bllokohej pamja), dhe në atë kohë të shkurtër pashë se ajo kishte atë shprehje plot gjallëri, jashtëzakonisht të lumtur, e cila e ka mbushur moshën time të mesme me një gëzim kaq të jashtëzakonshëm. Pastaj, një çast më vonë, para se të mund të them “ç’kemi”, ajo u ndal. Gishti i atleteve kishte ngecur diku dhe ashtu, pa asnjë britmë apo paralajmërim, po lundronte në ajër. Nuk dua të nënkuptoj se po binte, ose po rrëzohej apo se po rrokullisej nga shkallët. Dua të them se po fluturonte. Pengimi e kishte hedhur në kuptimin e mirëfilltë në hapësirë dhe nga trajektorja e fluturimit të saj mund të shihja se po shkonte drejt dritares.
Çfarë bëra? As vetë nuk e di se çfarë kam bërë. Isha në anën e gabuar të parmakëve kur e pashë në ajër. Në çastin që ajo ishte në mes të rrugës midis sheshpushimit dhe dritares, unë po qëndroja në këmbën e fundit të shkallës. Si arrita atje? Ishte më pak se një metër largësi, por vështirë se ishte e mundur të mbulohej ajo largësi në atë kohë – e cila është pothuajse aspak kohë. Megjithatë, ia dola dhe në çastin që arrita atje ngrita sytë, hapa krahët dhe e kapa.
3
Isha katërmbëdhjetë vjeç. Për të tretin vit radhazi, prindërit më dërguan në një kamp veror në shtetin e Nju-Jorkut. E kaloja pjesën më të madhe të kohës duke luajtur basketboll dhe bejsboll, por duke qenë se ishte një kamp me djem dhe vajza, në mbrëmje kishte edhe aktivitete të tjera “shoqërore”, përplasjet e para të vështira me vajzat, bastisjet e brekëve, rrëmujat e zakonshme të adoleshentëve. Mbaj mend, gjithashtu, që pija puro të lira dhe përfshihesha në zënka masive me tullumbace uji.
Asnjë nga këto nuk është e rëndësishme. Thjesht dua të nënvizoj se sa e brishtë mund të jetë mosha katërmbëdhjetëvjeçare. Ke reshtur së qeni fëmijë, por ende nuk je i rritur, luhatesh sa andej këndej midis asaj që ishe dhe asaj që do të bëhesh së shpejti. Në rastin tim, isha ende mjaft i ri për të menduar se kisha një mundësi të isha mes më të mirëve, por aq i vjetër për të vënë në dyshim ekzistencën e Zotit. E kisha lexuar “Manifestin komunist” dhe, megjithatë, më pëlqente t’i shikoja filmat vizatimorë të mëngjesit të së shtunës. Sa herë që shihja fytyrën time në pasqyrë, më dukej sikur po shikoja dikë tjetër.
Në grupin tim ishin rreth gjashtëmbëdhjetë a tetëmbëdhjetë djem. Shumica prej nesh kishim disa vjet bashkë, por atë verë na ishin bashkuar edhe disa të sapoardhur. Njëri quhej Ralf. Ishte fëmijë i qetë, pa shumë entuziazëm për të dribluar topa basketbolli apo për të gjuajtur, dhe kishte vështirësi në lojë. Kishte ndjekur disa lëndë atë vit dhe kur kishte kohë të lirë e kalonte duke u përpjekur të mësonte me njërin prej trajnuesve. Ishte disi në një situatë të trishtuar dhe më erdhi keq për të – por jo aq sa të më linte pa gjumë.
Trajnuesit tanë ishin të gjithë studentë të kolegjit të Nju-Jorkut nga Bruklini dhe Kuinsi. Basketbollistë të urtë, dentistë, kontabilistë dhe mësues të ardhshëm, fëmijë të qytetit deri në palcë. Në inventarin e shqetësimeve të tyre nuk gjendeshin askund kanoet, litarët, ngjitjet në mal, ngritja e tendave, të kënduarit rreth zjarrit. Ata mund të na stërvitnin në teknikat e bllokimit të sulmuesit dhe të pasimit të topit, por nuk ia thoshin për gjërat e tjera, vetëm silleshin vërdallë kot dhe tregonin barsoleta.
Imagjinoni habinë tonë, atëherë, kur një pasdite trajnuesi ynë na njoftoi se do të shkonim për një shëtitje në pyll. E ishte pushtuar frymëzimi dhe nuk do të linte askënd t’ia largonte. Mjaft me basketbollin, tha ai. Jemi të rrethuar nga natyra dhe është koha që të përfitojmë prej saj dhe të fillojmë të sillemi si kampistë të vërtetë, ose diçka të ngjashme. Dhe kështu, pas periudhës së pushimit që pasoi drekën, i gjithë grupi prej gjashtëmbëdhjetë a tetëmbëdhjetë djemsh, së bashku me dy trajnues, u nisën në pyll.
Ishte fundi i korrikut 1961. Mbaj mend se të gjithë ishin në një gjendje shpirtërore shumë të mirë, dhe pas rreth gjysmë ore udhëtim, shumica ranë dakord se shëtitja kishte qenë një ide e shkëlqyer. Askush nuk kishte një busull, sigurisht, apo të dhëna më të vogla se ku po shkonim, por të gjithë po kënaqeshim dhe nëse do të humbnim, e çfarë pastaj? Herët a vonë do ta gjenim rrugën e kthimit.
Pastaj filloi të bjerë shi. Në fillim, gati nuk dallohej, disa pika të lehta binin midis gjetheve dhe degëve, asgjë për t’u shqetësuar. Vazhduam të ecnim, duke mos dashur të linim pak pika uji të na prishnin zbavitjen, por disa minuta më vonë filloi të binte shi me gjyma. Të gjithë u bëmë qull dhe trajnuesit vendosën të ktheheshim. Problemi i vetëm ishte se nga aty askush nuk e dinte se në ç’drejtim ishte kampi. Pylli ishte i dendur, plot me pemë dhe shkurre me gjemba, dhe ne kishim ndjekur një rrugë gjarpëruese sa andej-këtej, duke ndërruar vazhdimisht drejtimin. Për ta shtuar pështjellimin, tani po bëhej e vështirë edhe të shihje. Pylli kishte qenë i errët në fillim por, me shiun që binte dhe qielli u bë i zi, u duk sikur kishte rënë nata në orën tre ose katër pasdite.
Pastaj filluan bubullimat. Dhe pas bubullimave filluan vetëtimat. Stuhia ishte mu mbi ne dhe doli të ishte stuhia e verës e cila u jepte fund të gjitha stuhive verore. Kurrë nuk kam parë mot të tillë më parë apo më pas. Shiu zbrazej mbi ne aq fort saqë në fakt të lëndonte; sa herë që shpërthente bubullima, mund të ndieje zhurmën që kumbonte brenda trupit tënd. Kur shkrepte rrufeja, binte si shtizë. Dukej sikur armët ishin materializuar nga ajri i hollë – një shkreptimë e papritur e ktheu gjithçka në një të bardhë të ndritshme dhe fantazmagorike. Pemët u goditën dhe degët e tyre filluan të digjen. Pastaj errësohej përsëri për një çast, të kishte një tjetër përplasje në qiell dhe vetëtima binte në një vend tjetër.
Natyrisht, vetëtimat ishin ato që na trembnin dhe në panik e sipër u përpoqëm t’u iknim. Por stuhia ishte shumë e madhe dhe kudo që shkuam kishte edhe më shumë vetëtima. Ishte një rrëmujë ku nuk e shihte i pari të dytin, dhe një rendje turravrap në formë rrathësh. Pastaj, papritmas, dikush vuri re një fushë në pyll. Një mosmarrëveshje e shkurtër shpërtheu nëse ishte më e sigurt të dilje në natyrë apo të vazhdoje të qëndroje nën pemë. Ata që argumentonin se duhej dalë në fushë të hapur fitoi dhe ne vrapuam në drejtim të hapësirës së gjelbër.
Ishte një livadh i vogël, me shumë gjasa kullotë që i përkiste një ferme të zonës, dhe për të arritur aty na u desh të zvarriteshim nën një gardh me tela me gjemba. Një nga një, ne u përkulëm dhe u futëm. Unë isha në mes të rreshtit, mu pas Ralfit. Sapo u gjendëm nën telat me gjemba, pati një rrufe tjetër. Isha dy nëntë a dhjetë centimetër larg por, për shkak të shiut që më rrihte në qepallat, e kisha të vështirë të kuptoja se çfarë ndodhi. E vetmja gjë që dija ishte se Ralfi kishte ndaluar së lëvizuri. Kuptova se ai kishte mbetur i shtanguar, kështu që u zvarrita pranë tij nën gardh. Sapo isha në anën tjetër, e kapa për krahu dhe e tërhoqa zvarrë.
Nuk e di sa kohë kemi qëndruar në atë fushë. Një orë, ma merr mendja, dhe gjatë gjithë kohës që ishim atje, shiu, vetëtimat dhe bubullimat vazhduan të gjëmonin dhe binin mbi ne. Ishte një stuhi e shkëputur nga faqet e Biblës dhe vazhdoi e vazhdoi, sikur nuk do të mbaronte kurrë.
Dy-tre djem u goditën nga diçka – ndoshta nga rrufeja, ndoshta nga tronditja e rrufesë teksa goditi tokën afër tyre – dhe livadhi filloi të mbushej me rënkimet e tyre. Djemtë e tjerë nisën të qanin dhe të luteshin. Të tjerë, ende me frikë në zërat e tyre, u përpoqën të jepnin këshilla të arsyeshme. Hiqni qafe gjithçka metalike, thanë ata; metali tërheq rrufenë. Të gjithë hoqëm rripat dhe i hodhëm larg vetes.
Nuk mbaj mend të kem thënë ndonjë gjë. Nuk mbaj mend të kem qarë. Unë dhe një djalë tjetër ishim të zënë duke u përpjekur të kujdeseshim për Ralfin. Ai ishte ende pa ndjenja. I fërkuam duart dhe krahët, ia mbajtëm gjuhën që të mos e gëlltiste, i thamë të rrinte pa lëvizur. Pas pak, lëkura filloi t’i merrte një nuancë kaltëroshe. Trupi i tij m’u duk më i ftohtë kur e preka por, pavarësisht prej provave në rritje, nuk më shkonte mendja se nuk do të vinte në vete. Në fund të fundit isha vetëm katërmbëdhjetë vjeç dhe çfarë dija? Nuk kisha parë kurrë një të vdekur më parë.
Mendoj se ishte teli me gjemba shkaku. Djemtë e tjerë të goditur nga rrufeja u mpinë, ndien dhimbje në gjymtyrë për një orë apo më shumë dhe më pas ishin në rregull. Por Ralfi kishte qenë nën gardh kur rrufeja goditi dhe ai ishte goditur drejtpërdrejt nga rryma. Më vonë, kur më thanë se kishte vdekur, mësova se kishte një djegie prej njëzet centimetrash në shpinë. Mbaj mend që u përpoqa ta përvetësoja kuptimin e këtij lajmi dhe i thashë vetes se jeta nuk do të ishte më njësoj për mua. Çuditërisht, nuk mendova se kisha qenë kaq pranë tij kur ndodhi. Nuk mendova, se një ose dy sekonda më vonë do të kisha qenë unë. Ajo që mendova ishte t’i mbaja gjuhën dhe t’i shikoja dhëmbët. Goja kishte ngrirë në një grimasë të lehtë dhe, me buzët e tij pjesërisht të hapura, kisha kaluar një orë duke i parë majat e dhëmbëve. Tridhjetë e katër vjet më vonë, ende i kujtoj. Dhe sytë e tij gjysmë të mbyllur, gjysmë të hapur. I mbaj mend edhe ato.
4
Para disa vitesh mora një letër nga një grua që jeton në Bruksel. Ajo më tregoi historinë e mikut të saj, një burrë që e njihte që nga fëmijëria.
Në vitin 1940 ky njeri hyri në ushtrinë belge. Kur vendi ra në duart e nazistëve më vonë atë vit, u kap dhe u dërgua në një kamp të robërve të luftës në Gjermani. Qëndroi atje deri në përfundimin e luftës në vitin 1945.
Të burgosurit u lejuan të kishin letërkëmbim me punëtorët e Kryqit të Kuq në Belgjikë. Burrit iu caktua në mënyrë arbitrare një mike së cilës duhej t’i shkruante – një infermiere e Kryqit të Kuq nga Brukseli – dhe për pesë vitet e ardhshme ai dhe kjo grua shkëmbyen letra çdo muaj. Me kalimin e kohës u bënë shpejt miq. Në një moment të caktuar (nuk jam i sigurt se sa kohë zgjati), e kuptuan se mes tyre ishte krijuar diçka më shumë se miqësi. Letërkëmbimi vazhdoi, duke u bërë më intim me çdo shkëmbim, dhe më në fund i deklaruan dashurinë njëri-tjetrin. A ishte e mundur një gjë e tillë? Nuk e kishin parë kurrë njëri-tjetrin, nuk kishin kaluar asnjë minutë në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Pas përfundimit të luftës, burri u lirua nga burgu dhe u kthye në Bruksel. U takuan dhe asnjëri nuk u zhgënjye. Pak kohë më vonë u martuan.
Vitet kaluan. U bënë me fëmijë, ata u rritën, bota u bë pak më ndryshe. Djali i tyre përfundoi studimet në Belgjikë dhe nisi punë pasuniversitare në Gjermani. Në universitetin atje, ra në dashuri me një grua të re gjermane. U shkroi prindërve dhe u tha se kishte ndër mend të martohej me të.
Prindërit e të dyja palëve ishin kaq të lumtur për fëmijët e tyre. Të dy familjet organizuan takimin dhe në ditën e caktuar familja gjermane u paraqit në shtëpinë e familjes belge në Bruksel. Ndërsa babai gjerman hyri në dhomën e ndenjjes dhe babai belg u ngrit për ta mirëpritur. Të dy burrat u panë në sy dhe e njohën njëri-tjetrin. Kishin kaluar shumë vite, por asnjëri nuk kishte asnjë dyshim se kush ishte tjetri. Në atë segment të jetës së tyre, ata e kishin parë njëri-tjetrin çdo ditë. Babai gjerman kishte qenë roje në kampin e burgut ku babai belg kishte qenë i burgosur gjatë luftës.
Siç nxitoi të shtonte gruaja që më shkroi letrën, mes tyre nuk kishte armiqësi. Sado i përbindshëm të kishte qenë regjimi gjerman, babai gjerman nuk kishte bërë asgjë gjatë këtyre pesë viteve për ta kthyer babanë belg kundër tij.
Këta dy burra tani janë miqtë më të mirë. Gëzimi më i madh në jetën e të dyve janë nipërit e mbesat që kanë të përbashkët.
5
Isha tetë vjeç. Në atë moment të jetës sime asgjë nuk kishte gjë më të rëndësishme për mua sesa bejsbolli. Ekipi im ishte Gjigantët e Nju-Jorkut dhe i ndiqja ndeshjet e atyre djemve me uniforma të zeza dhe portokalli me gjithë përkushtimin e një besimtari të vërtetë. Edhe tani, duke kujtuar atë ekip që nuk ekziston më, dhe i cili luajti në një park që, gjithashtu, nuk ekziston më – mund të them pothuajse emrat e çdo lojtari: Alvin Dark, Whitey Lockman, Don Mueller, Johnny Antonelli, Monte Irvin, Hoyt Wilhelm. Por askush nuk ishte më i madh, më i përsosur dhe as më meritor për adhurim se Willie Mays.
Atë pranverë më çuan ta shihja ndeshjen e parë për mua në ligën e madhe. Miqtë e prindërve të mi kishin rezervuar ulëse në stadiumin “Polo Grounds” dhe një natë prilli, një grup prej nesh shkuam për të parë Gjigantët që luanin kundër Milwaukee Braves. Nuk e di kush fitoi, nuk më kujtohet asnjë detaj i lojës, por mbaj mend që pasi mbaroi ndeshja, prindërit dhe miqtë e tyre ndenjën duke biseduar në stolat e tyre derisa të gjithë spektatorët e tjerë u larguan. U bë aq vonë saqë na u desh të ecnim nëpër stadium dhe të largoheshim nga dalja në qendër të fushës, e cila ishte e vetmja ende e hapur. Siç u kuptua, ajo dalje ishte pikërisht poshtë dhomave të zhveshjes së lojtarëve.
Sapo iu afruam murit, më ra në sy Willie Mays. Pa dyshim ishte ai. Ishte Willie Mays, tashmë pa uniformë dhe qëndronte aty me rrobat e ditës aq dhjetë metra larg meje. Arrita të ec drejt tij dhe më pas, duke marrë guxim, nxora disa fjalë nga goja. -Zoti Mays, – thashë, – a mund të kem një autograf nga ju, ju lutem?
Ai duhej të kishte qenë njëzet e katër vjeç, por nuk mund t’i drejtohesha dot në emër. Përgjigjja ndaj pyetjes sime ishte me ton të vrazhdë, por e këndshme. – Sigurisht, çun, sigurisht, – tha ai. – A ke një laps?
Mbaj mend se ishte kaq shumë jetë, kaq shumë energji rinore, sa vazhdonte të kërcente lart e poshtë teksa fliste. Nuk kisha laps, kështu që e pyeta babanë nëse kishte. As ai nuk kishte. As nëna ime. Siç doli, as të rriturit e tjerë.
I madhi Willie Mays qëndronte aty duke parë në heshtje. Kur u bë e qartë se askush në grup nuk kishte çfarë të shkruante, ai u kthye nga unë dhe ngriti supet. – Më fal, çun, – tha ai. – Nuk kam laps, nuk të jap dot autograf. Dhe më pas doli nga parku dhe humbi në errësirë.
Nuk doja të qaja, por lotët filluan të më binin në faqe dhe nuk mund të bëja asgjë për t’i ndaluar. Edhe më keq, qava në makinë gjatë gjithë rrugës së kthimit për në shtëpi. Po, u trondita nga zhgënjimi, por isha i revoltuar edhe me veten që nuk mund t’i kontrolloja ata lot. Nuk isha kalama. Isha tetë vjeç dhe fëmijët e mëdhenj nuk duhej të qanin për gjëra të tilla. Jo vetëm që nuk kisha autografin e Willie Mays, nuk kisha as asgjë tjetër. Jeta më kishte vënë në provë dhe në të gjitha aspektet u gjenda i dëshpëruar.
Pas asaj nate fillova të mbaja një laps me vete kudo që shkoja. M’u bë zakon që të mos dilja kurrë nga shtëpia pa u siguruar që kisha një laps në xhep. Nuk është se kisha ndonjë plan të veçantë për atë laps, por nuk doja të isha i papërgatitur. Më kishin zënë një herë duarbosh dhe nuk doja të ndodhte më. Edhe sikur të mos kem përfituar asgjë tjetër nga kjo, vitet më kanë mësuar këtë: nëse ke një laps në xhep, ka shumë mundësi që një ditë të ndihesh i tunduar për të filluar ta përdorësh. Siç më pëlqen t’u them fëmijëve të mi, kështu u bëra shkrimtar.
The New York Times, janar 1996
Përktheu nga anglishtja: Granit Zela. Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”.
© Të drejtat e botimit të këtij përkthimi, “Armagedoni”.