Pse shteti duhet t’i përkrahë sipërmarrësit e rinj

07 tetor 2020 | 19:02

Driton S. Bejtullahu

Bazuar në disa hulumtime bërë për fuqizimin e resurseve njerëzore, në 15 vjetët e ardhshëm duhet të krijohen 40 milionë vende pune çdo vit për t’i përmbushur nevojat e rritjes së popullsisë në botë. Stimulimi i sipërmarrësve të rinj për krijimin e bizneseve të vogla dhe të mesme do të kontribuonte për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për krijimin e një balance të qëndrueshme ekonomike.

Vitet e fundit ka një lëvizje të popullsisë në drejtim të vendeve të zhvilluara dhe ky faktor në njëfarë mënyre ka një impakt negativ në ekonominë e secilit shtet. Edhe Kosova është e prekur nga ky trend dhe, pavarësisht se në statistika mund të ndikojë në zvogëlimin e numrit të papunësisë, kjo nuk e garanton qëndrueshmërinë ekonomike të vendit tonë. Qytetarët tanë që ikin në vendet e zhvilluara nuk ka gjasa të kontribuojnë – në një formë apo tjetër – në ekonominë e vendit përveç remitancave dhe kjo do të duhej t’i shqetësonte institucionet përgjegjëse. Me fjalë të tjera, këta individë nuk do të kontribuojnë në ekonominë e Kosovës.

Për ta minimizuar efektin e mungesës së fuqisë punëtore dhe për të stimuluar vende të reja pune, Kosova duhet të krijojë strategji që i stimulon sipërmarrësit e rinj për krijimin e bizneseve të reja, në mënyrë që t’u dalin ndihmë institucioneve vendore për krijimin e vendeve të reja të punës. Është e palogjikshme që shpresat për një vend të punës t’i kemi vetëm në institucionet shtetërore dhe aty-këtu te ndonjë organizatë ndërkombëtare që ende operon në Kosovë. Statistikat tregojnë se numri i papunësisë në Kosovë është rreth 27 për qind. Me një strategji të mirëfilltë të edukimit, të ngritjes së kapacitetit profesional dhe me përkrahje financiare – bashkërisht me organizatat që japin donacione të tilla – një përqindje e madhe e personave të papunë mund të transformohet drejtpërdrejt në punëdhënës në një të ardhme të afërt.

Një raport i Bankës Botërore jep një pasqyrë të re dhe holistike të pasurive gjithëpërfshirëse që mund të përcaktojë nëse Bruto Produkti i një shteti është i qëndrueshëm në afate të caktuara kohore. Investimi në njerëz rezulton me shtimin e pasurisë së një vendi dhe nxit rritje më të shpejtë ekonomike, duke pasur parasysh se kapitali njerëzor me aftësitë e veta, përvojën dhe kontributin e dhënë në shoqëri, në ditët e sotme konsiderohet si aseti kryesor i një vendi.

Kosova ka fatin që ka një popullsi me moshën mesatare më të re në rajon dhe këtë aset duhet ta shfrytëzojmë. Kosova – sipas disa ekspertëve – ka pasuri të çmueshme natyrore, ndërsa shteti nuk është se e ka drejtuar ekonominë rreth këtyre pasurive (për arsye të caktuara). Megjithatë, trendi i zhvillimit të teknologjisë kërkon një investim urgjent në resurset njerëzore, nëse dëshirojmë të konkurrojmë me ekonomitë e botës.

Institucionet shtetërore duhet të jenë më inovative rreth krijimit të strategjisë së zhvillimit ekonomik si faktor kryesor në qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Nuk mjafton vetëm “ideja” e përpiluar në dokumente apo identifikimi i sektorëve me interes strategjik për zhvillim. Por, duhen marrë hapa konkretë, duke u bazuar në praktikat e vendeve të rajonit të cilat kanë rezultuar me sukses. Meqë resurset natyrore të vendit tonë nuk na ofrojnë të ardhura të mjaftueshme, fokusi i institucioneve vendore duhet të jetë investimi në rininë e vendit.

Mirëqenia është një ndër faktorët kryesor që e motivon njeriun të qëndrojë apo jo në një shtet të caktuar. Me përkrahjen e sipërmarrësve të rinj, Kosova jo vetëm se do të ishte aksionare indirekte nga të hyrat e bizneseve të reja, por do të vërehej edhe një rritje e standardit në shoqërinë tonë përmes krijimit të vendeve të reja të punës.

 

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Betim Gjoshi Ka disa muaj që përflitet nëpër media…