PSE TANI?

25 qershor 2020 | 14:03

Nga Bedri Islami

Vështirë se në jetën politike të Hashim Thaçit do të ketë pasur një moment më të vështirë, jo se është pjesë e aktakuzës së Prokurorit  të Specializuar, që u bë e njohur ndërsa ai po nisej në Shtetet e Bashkuara, ku është menduar të pritet në Shtëpinë e Bardhë, por pikërisht se, në këto momente, kur do të nis fillimi i një zgjidhje radikale e ndoshta përfundimtare në të mirë të Kosovës, atij do i duhet të vendosë për gjëra që ndërthuren me të ardhmen e vendit të tij.

Nëse prokurori i Specializuar do të kishte dashur të gjente një kohë më të rëndë, edhe sikur me vite të kishte pritur, ai nuk do të kishte mundur ta gjente. Më shumë se sa një fillesë akuze, e cila edhe mund të hidhet poshtë nga Dhomat e Specializuara, është një ngarendje për të vendosur nën pushtetin e trasnisë njërin ndër njerëzit që deri më tani, duan apo nuk duan në Kosovë, është pjesë e frytshme e disa proceseve, të cilat lidhen me lirinë e Kosovës, pavarësinë e saj dhe kthimin përfundimtar të rrugës së vendit të tij drejt Perëndimit.

Ka më shumë se dy muaj e gjysmë që prokurori i Specializuar e ka dërguar lëndën e tij tek Dhomat e Specializuara dhe ka më shumë se një vit kur, të rënduar nga kjo ndjekje e vazhdueshme, trysni dhe presion politik dhe juridik mbi disa nga figurat më të rëndësishme të Kosovës, disa nga autoritetet kërkuan përfundimin e mandatit të Gjykatës së Specializuar që lidhet me krimet e supozuara të luftës dhe  pasluftës në Kosovë dhe, që atëherë, jo vetëm që nuk është bërë asnjë veprim drejt shuarjes së kësaj gjykate, ku vetë Thaçi ishte nismë e miratimit, por, ndërkohë janë thirrur si dëshmitarë apo nën hetim më shumë se 200 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa nga të cilët janë pyetur me ditë e netë dhe në Kosovë asnjë institucion nuk ndërmori diçka kundër Dhomave të Specializuara apo Prokurorit Special.

Nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo të tjerë janë pjesë e krimit të ndodhur në Kosovë, gjithnjë nëse ka pasur krime, kjo do të jetë e sqaruar në javët, muajt e ndoshta vitet e ardhshme.

I gjithnjë njoftimi publik është ndërtuar për të shpallur fajtorë ende pa u gjykuar një trupë drejtuese të luftës, të cilët, në momentet më të vështira, morën përsipër drejtimin e luftës në Kosovë, ku edhe mund të vriteshin, të cilëve, në shumë raste iu vranë nga hordhitë serbe, të afërmit e tyre, njerëzit e gjakut dhe bashkëluftëtarët.

Përse është ndërtuar jo si aktakuzë por si aktgjykim, sidomos si akt përfundimtar për dënimin e një elite politike e ushtarake drejtuese?

“ Në Aktakuzë – ka shkruar prokurori i Specializuar – pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë..”

Prokurori i Specializuar, menjëherë pas emrave të Thaçit dhe Veselit, pa shtuar asnjë tjetër, shton fillimisht numrin e 100 vrasjeve të paligjshme dhe, pak më pas, qindra viktima, duke ngjallur, si ai vetë e ka menduar se do të ndodhë, se kemi të bëjmë me një rast të stërrënduar, ku dy drejtuesit kryesorë të luftës bartin mbi vete afërsisht 100 vrasje e pastaj qindra viktima të tjera.

Rëndesa e mjedisit politik dhe paragjykimi, përmes padisë penale, e cila, si thotë Prokurori i Specializuar mund të provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm, është po ashtu një trysni mbi Dhomat e Specializuara dhe sidomos mbi gjykatësin, i cili do të vendosë nëse akuzat janë të arsyeshme apo jo dhe këtë nuk mund ta shpallë botërisht, ende pa filluar asnjë proces i mirëfilltë vetë ai që ka ngritur akuzën.

Më shumë se sa një dëshmi, njoftimi i prokurorit të Specializuar është një deklaratë politike, e cila mban datën 24 qershor, por që është bërë e gatshme që në muajin prill.

Është një deklaratë pa precedent në praktikën e institucioneve të drejtësisë së pavarur, shkelje e rëndë e parmeve themelore të drejtësisë dhe duket si e dalë nga dora e Karla del Pontes, njëra nga kundërshtaret më të ndjeshme të luftës në Kosovë, ndjekëse e pasionuar për dënimin e shqiptarëve, që nganjëherë kalonte në delir dhe që kishte shpallur që në fillim, me veprimet e mosveprimet e saj, amnistinë e krimit serb në Kosovë.

Përse tingëllon e gjitha si një deklaratë politike?

Si ka vërejtur me të drejtë politologu i njohur Bardhyl Mahmuti, ish ministër i Punëve të jashtme të Kosovës dhe  autori i librit të madh denoncues, “Mashtrimi i Madh”, ku të shpallurit të vrarë jetojnë të qetë në Serbi,  në njoftimin e prokurorit special  është nëpërkëmbur parimi i parë dhe kryesor i drejtësisë që nuk është e varur nga politika dhe qëndron në Parimin e Supozimit të Pafajësisë, për deri sa nuk shpallet fajtor nga Gjykata.

Prokurori Special duhet ta dijë këtë fare mirë. Në mos tjetër, këtë e ka mësuar që në fillimet e karierës së tij, e megjithatë, ndoshta i mëritur nga fakti se ka ende në mendje tentimin për zhbërjen e kësaj strukture, bën të kundërtën. Ai shpall fajtor të akuzuarit prej tij, duke u bërë në të njëjtën kohë edhe gjykatës.

Ai, jo vetëm që nuk pret vendimin e gjykatës, por ende pa u miratuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara, të cilat bëjnë hapin e parë të pranimit të akuzës, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një deklarate thellësisht politike, shpall, ndër të tjera, se

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e Dhomave Speciale të Kosovës duke ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për zhfuqizimin  e ligjit të krijoi Gjakytën dhe nëpërmjet këtyre veprimeve Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi VIKTIMAT E KRIMEVE TË TYRE,sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës.”

Megjithëse proçesi gjyqësor nuk ka filluar ende dhe Dhomat e Specialzuara ende nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorit, pra, ende pa filluar proçesi gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Specializuar shpall vendimin dhe i cilëson Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si kriminelë dhe i paragjykon se “qindra viktima të identifikuara shqiptare, serbë dhe romë qenkëshin viktima të krimeve të tyre”.

Si e cilësova, që nga ditët kur gjykata Speciale po zvarriste pafundësisht proceset dhe ishte drejtuar thellësisht vetëm ndaj krimeve të supozuara të shqiptarëve ndaj pakicave të tjera apo të quajturve bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb, kanë kaluar kaq shumë muaj, proçeset po vazhdojnë normalisht, janë thirrur dhe vazhdojnë të japin dëshmitë e tyre apo të hetohen të tjerë ish luftëtarë dhe asgjë nuk ka të bëjë me pretendimin e supozuar të prokurorit për pengimin apo, edhe më tej, sabotimin e Gjykatës Speciale, e cila u ngrit në sajë të këmbënguljes së Thaçit, si një linjë e mundshme për pastrimin e emërit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sidoqoftë ankthi i pritjes po shkon drejt shuarjes së enigmës. Prej kaq muajve në Kosovë flitej, hamendësohej, dyshohej, përgojohej, hetohej se kush do të ishte në gjakimet e ardhshme dhe se cilët kishin bërë kompromise të dhimbshme në dëm të Kosovës.

Hashim Thaçi ishte më i përfoluri nga të gjithë, jo vetëm se ishte kryeministër apo president, por edhe për rolin e tij në luftë, në bisedimet e vështira politike etj. Ai, shpesh herë, nga ata që sot u gëzuan pa masë nga njoftimi, është cilësuar si njeriu që shiti Kosovën si marrëveshje të fshehtë për të shkuar në Hagë. Kishin shkuar edhe më tej, duke bërë thirrje cinike “shko, bre Hashim në Hagë”, e kanë akuzuar dhunshëm, edhe në Kuvendin e Kosovës nga opozita e dhunshme se, ai e ka shitur Kosovën për të siguruar veten, se mes tij dhe ndërkombëtarëve ka një marrëveshje të fshehtë, përmes së cilës Thaçi do të bëjë kompromise që të mos shkojë në Gjykatën Speciale, etj.

Jam i bindur se jo të paktë kanë fërkuar duart: veti kjo e shqiptarëve të “ndershëm”, si i cilësonte dikur Beogradi.

Tani duhet të jenë të bindur se kurrfarë marrëveshje nuk ka patur mes tij dhe hetuesve apo forcave politike të huaja. Duhet të binden edhe më tej se ai, si shumë të tjerë, padrejtësisht apo jo, do të mund të dënohet, por kompromis shpirtzi nuk ka pasur.

Tani gjithkush mund të jetë i qetë se njeriu i akuzuar prej tyre se po shet Kosovën për të ruajtur kokën e pasurinë e tij, është një nga të shumtët që do të përballet me Gjykatën Speciale.

Është momenti më i vështirë i Thaçit. Kur jemi takuar në marsin e këtij viti, ai e dinte se mund të ndodhte diçka e tillë, por ishte i qetë, si gjithë ata që e kanë bërë detyrën e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje,…