Pse tash lufta me armë ‘të gjata’?
Shkruan: Agron Hoti
Konteksti
– Ditëve të fundit është ashpërsuar shumë retorika politike mes SHBA-së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë. Kjo sepse SHBA i ka dhënë leje Ukrainës t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi që do ta mbërrinin thellë territorin rus. Ndërsa, Rusia menjëherë është kundërpërgjigjur me mundësinë e përdorimit të armëve nukleare kundër atyre shteteve që furnizojnë Ukrainën me armë ‘të gjata’. Manovrat në rritje të NATO-s në Evropë kanë rritur shqetësimet mes shteteve evropiane për një sulm të mundshëm rus. Por, nuk duhet harruar, se dinamikat në Evropë do të varen shumë nga ato në Azi ku Kina është duke u përballur me vështirësi ekonomike, ndaj edhe ka filluar të bëhet gjithnjë e më agresive.
Po pse pikërisht tash armët ‘e gjata’?
– Kjo sepse të gjithë jemi dëshmitarë që Rusia tanimë është frenuar nga Perëndimi në Ukrainë. Ky ka qenë suksesi i parë i Perëndimit në Ukrainë që për Rusinë do të thotë humbje. Shpresa për një pushtim të tërësishëm të Ukrainës tanimë është venitur, e aq më tepër kur Ukraina tashmë ia ka dalë ta godasë disa herë territorin rus. Si rezultat i humbjes së numrit të madh të ushtarëve Rusia është detyruar të kërkojë ndihmë dëshpëruese për ushtarë të Koresë Veriore duke e implikuar edhe këtë të fundit pak a shumë në luftë.
Nacionalizmi si kartë
– Ndërkohë, zhvillimet në Azi Lindore me Kinën në epiqendër, do ta përcaktojnë edhe tempon e luftës në Ukrainë. Rënia ekonomike e Kinës mund ta ndryshojë sjelljen e këtij shteti në politikën e jashtme. Loja me ndjenjat e nacionalizmit është treguar ndër instrumentet më të suksesshme për të ardhur apo për të ngelur sa më gjatë në pushtet. Kjo më së miri mund të shihet edhe në Kosovë se ç’manipulim mund t’u bëhet masave të gjera popullore kur politika luan me kartat e nacionalizmit.
Prandaj, partia-shtet dhe pushtet në Kinë do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pushtet, nëse nuk do përdorë nacionalizmin, aq më tepër kur dihet se nëse kjo parti do të binte nga pushteti, vendi do të zhytej pashmangshëm në kaos fundin e të cilit s’e di askush. Dhe në fakt Kina ka disa vite që ka filluar me gjuhën e nacionalizmit duke thënë se Perëndimi me theks të veçantë SHBA po ndërton një mur frenues përreth saj. Rritja e barrierave tregtare nga Perëndimi, nga Kina po shihet si e padrejtë.
Dy pikat e nxehta
– Përkeqësimi i mëtejmë i gjendjes ekonomike vetëm sa do ta ashpërsojë retorikën politike të Kinës përballë SHBA-së. Duke qenë e varur nga importi i energjisë dhe eksportet si rezultat i mbriprodhimit, dy pikat më të nxehta ku Kina mund ta sfidojë Perëndimin janë Deti i Kinës Jugore dhe Ngushtica e Tajvanit. Bllokimi eventual i kësaj arterieje detare nga Kina do ta ndërpriste tregtinë e SHBA-së me Azi dhe për më tepër do ta sfidonte supremacinë detare të SHBA-së në glob. Prandaj, duke e parë një Kinë gjithnjë e më agresive, SHBA ka filluar t’i përshpejtojë hapat e dobësimit të mëtejmë të Rusisë në Ukrainë. Do të jetë kjo pikërisht arritje e “paqes me forcë”, të cilën tanimi hapur e ka proklamuar administrata në ardhje e Presidentit Trump.
Përdorimi i armëve ‘të gjata’ do ta detyrojë Rusinë të ulet në tavolinë të bisedimeve dhe pikërisht ky është synimi i Perëndimit. Ndërkohë që, Rusia, pavarësisht retorikës nacionaliste, është duke kërkuar së paku një armpushim si strategji dalëse si rezultat i dëmeve të mëdha ekonomike dhe në njerëz. Sa më shumë dhe shpejtë që Kina do të bëhet agresive në Azi Lindore, aq më e ashpër dhe më e shpejtë do të jetë përgjigjja e Ukrainës së mbështetur nga Perëndimi kundër Rusisë, derisa kjo e fundit të heqë dorë përfundimisht nga lufta në Evropë.
Prishtinë më 22 nëntor 2024
A.H.