‘Pse të nervozoi presidentja?’ Kështu përgjigjet Kurti për tensionin me Osmanin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur të premten lidhur me momentin e djeshëm ku është parë në një diskutim të tensionuar me presidenten Vjosa Osmani.
Kurti ka thënë se zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka treguar se çfarë kishte ndodhur mes tyre.
“S’ka të bëjë më atë, ka folur Përparim Kryeziu pse është”, ka thënë Kurti kur është pyetur se “pse të nervozi presidentja”.
Kryeziu dje duke parë raportimet e mediave, ka shkruar se diskutimi në mes të Kurtit dhe Osmanit ka qenë lidhur me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj dhe fjalën e këtij të fundit në mbledhjen e Këshillit për Demokraci.
“Në fjalën e tij sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, kryeministri Albin Kurti, përveç tjerash, tha se 10 ligje të Kuvendit që përbëjnë reforma tejet të rëndësishme në përputhje me ndryshimin e madh demokratik zgjedhor të shkurtit 2021 me slloganin ‘Drejtësi dhe Punësim’, janë të ngujuara, të rrëzuara ose të deformuara te Gjykata Kushtetuese. Kur pas kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për zgjedhje që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet kryeministri Kurti duke i folur presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, ka shkruar dje Kryeziu në “Facebook”.