Pse ZRrE-ja doli me tarifa të reja pa u kthyer në prodhim blloku B2? Ja si përgjigjet Kurti
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’i dërgojë komentet për raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që propozon shtrenjtim të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 megavatë rrymë në muaj.
Por ky fakt, kryeministri ka thënë se nuk e përmirëson gjendjen.
“Raporti i ZRrE-së nuk është një vendim përfundimtar i cili është i padiskutueshëm për ne. Ne do t’i dërgojmë komentet tona lidhur me këtë raport. Mirëpo fakti se ne i dërgojmë komentet tona nuk e bën gjendjen e mirë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se raporti i ZRrE-së tregon gjendjen e keqe në të cilën ndodhemi.
I pyetur se pse ZRrE-ja ka propozuar tarifa të reja ende pa u kthyer në funksion blloku B2 në termocentralin “Kosova B”, Kurti ka thënë se qeveria mund t’i japë vetëm komentet e saj.
“Së dyti, ne përmes fuqizimit dhe pavarësimit të rregullatorit, duam ta ndajmë pushtetin nga shteti. Nëse Qeveria quhet shtet, atëherë ZRrE-ja është shtet. Pra, ky është raporti mes pushtetit dhe shtetit. E tash, këtë ne e kemi bërë menjëherë duke mos lejuar anëtarë të Vetëvendosjes të bëhen pjesë e ZRrE-së. E tash nuk ka logjikë të kërkohet edhe që të mos përzihemi në emërimet e ZRrE-së, e në të njëjtën kohë që edhe unë të marrë vendime për ta. Por ajo çfarë duhet të bëjmë ne, do t’i japim komentet tona”, ka thënë Kurti.