PSG-ja e ‘plagosur’ përballë Unitedit, Roma pret Porton
Liga e Kampionëve rikthehet sonte (e martë) me dy superpërballje. Normalisht se vëmendja e të gjithëve do të jetë në Angli, ku Manchester Unitedi e pret skuadrën e Paris Saint-Germain, e cila që disa vjet është duke ëndërruar triumfin në Ligën e Kampionëve por, pa sukses.
Edhe këtë radhë pritet të jetë shumë vështirë për skuadrën franceze, pasi janë lënduar dy lojtarët kryesorë, Neymar dhe Edison Cavani. Trajneri Thomas Tuchel e pranon faktin se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për skuadrën e tij.
“Kështu është e tepër, kemi humbur dy lojtarë cilësorë për ndeshjet vendimtare në Ligën e Kampionëve. Nuk është e mundur t’i humbasësh gjithë lojtarët e aftë të luftojnë në nivelet më të larta të futbollit. Nuk kemi një zëvendësues për Cavanin, nuk kemi një zëvendësues për Neymarin. Nuk po studiojmë më ndonjë plan B, por kemi kaluar te plani D”, ka thënë Tuchel.
Pavarësisht prej këtyre mungesave, portieri Gianluigi Buffoni beson se nuk ka favorit në duelin në mes të Paris Saint-Germainit dhe Manchester Unitedit. “Mendoj se duhet ta përmirësojmë mentalitetin, qëndrimin dhe shpirtin për të flijuar për ekipin. Të martën na pret një ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet të bëjmë ndeshje të madhe. Ndeshja jonë ndaj Manchester Unitedit duhet të jetë më muskulore, më e fortë dhe me qëndrim ndryshe. Jo [nuk jemi favoritë], mendoj se është 50/50”, ka thënë Buffoni.
Ndryshe prej PSG-ja, Manchester Unitedi është në superformë prej se në krye të skuadrës është emëruar Ole Gunnar Solskjaer, i cili në konferencë për medie e ka kujtuar fitoren e lartë të Unitedit ndaj Romës (7-1). “Tifozët dhe lojtarët janë përqendruar te një natë e jashtëzakonshme që ‘Old Trafford’ do të ofrojë në një nga netët e kupave të Evropës, të cilat kanë qenë gjithmonë speciale. Dua vetëm që lojtarët e mi të përfshihen në lojë. Ndeshja ime e fundit ishte kur mundëm Romën 7-1. Ishte një natë tipike e ‘Old Trafford’”, ka thënë Solskjaer. Përveç kësaj ndeshje, sonte zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Romës dhe Portos.
Të martën takohen:
21:00 Manchester United-Paris Saint-Germain
21:00 Roma-Porto