PSG-ja për hakmarrje ndaj Cityt, Liverpooli ka punë me Atleticon

28 shtator 2021 | 09:31

Dy superndeshje zhvillohen sonte (e martë) nga ora 21:00 në Ligën e Kampionëve. Në “Parc des Princes” Paris Saint-Germain përballet me Manchester Cityn, ndërsa në “San Siro” Milani e pret Atletico Madridin.

 

Kampioni i Anglisë, Manchester City, e zhvillon ndeshjen e dytë të fortë brenda javës. City në fundjavë e mposhti Chelsean në Premierë Ligë, kurse sonte (e martë) në “Parc des Princes” përballet me Paris Saint-Germainin në kuadër të Grupit A në Ligën e Kampionëve. Skuadra franceze kërkon hakmarrje për eliminimin që i shkaktoi skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola në gjysmëfinale të editonit të kaluar. Tifozët e PSG-së dy javë me parë kishin mundësinë që të shohin në ndeshje treshen Messi-Neymar-Mbappe, por kjo nuk kreu punë që të dalin triumfues ndaj Club Brugge, pasi ndeshja u mbyll me rezultat 1-1.

Në Ligën 1, PSG-ja e ka nisur mirë, ku duket se nuk do të ketë konkurrencë, pasi në tetë xhirot e para ka rrëmbyer plot tetë fitore. Në anën tjetër nënkampionët e Evropës shënuan fitore në fundjavë në derbin ndaj Chelseat dhe synime të mëdha kanë edhe në ndeshjen e cila zhvillohet sonte.

City i Guardiolës nuk e nisi mirë edicionin në Premierë Ligë, por dalëngadalë ka filluar ta marrë veten dhe aktualisht renditet në vendin e dytë me një pikë më pak se Liverpooli që e kryeson elitën e futbollit anglez. Megjithatë në garën e Ligë së Kampionëve, Manchester City e nisi mirë, duke e mposhtur Leipzigun në ndeshjen e parë me rezultat 6-3.

Lajm i mirë për PSG-në është se Lionel Messi pritet të luajë në këtë ndeshje, kurse mungojnë Angel Di Maria, Marco Verratti dhe Sergio Ramos. Në anën tjetër te City në dyshim janë Zinchenko, Gundogan dhe Rodri. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi përballen Leipzigu dhe Club Brugge.

Gjermanët janë në kërkim të pikëve të para, derisa belgët pas barazimit në ndeshjen e parë janë të motivuar për një tjetër rezultat pozitiv. Edhe në grupin B do të zhvillohen dy ndeshje interesante. Milani pas humbjes në ndeshjen e parë nga Liverpooli pret që t’i marrë tri pikët e plota në përballjen e fortë kundër Atletico Madridit.

Kampionët e Spanjës në anën tjetër barazuan në ndeshjen e parë ndaj Portos dhe do të përpiqen që të mos pësojnë humbje as në “San Siro”.

Liverpooli i shkon Portos në Portugali me synim që të shënojë fitoren e dytë me radhë dhe ta ruajë pozitën e parë në grup.

Formacionet e mundshme:

PSG: Navas; Hakimi, Marquinhos, Kimpembe, Diallo; Gueye, Paredes, Herrera; Messi, Mbappe, Neymar.
Manchester City: Ederson; Walker, Dias, Stones, Cancelo; B. Silva, Fernandinho, De Bruyne; Mahrez, Torres, Grealish.

Grupi A

21:00 Paris Saint-Germain – Manchester City
21:00 Leipzig – Club Brugge

Tabela

1. Manchester City 3 pikë
2. PSG 1
3. Club Brugge 1
4. Leipzig 0

Grupi B

21:00 Milan – Atletico Madrid
21:00 Porto – Liverpool

Tabela

1. Liverpool 3 pikë
2. Atletico M. 1
3. Porto 1
4. Milan 0

Grupi C

18:45 Ajax – Besiktas
21:00 B. Dortmund – Sporting

Tabela

1. Ajax 3 pikë
2. Dortmund 3
3. Beshiktash 0
4. Sporting 0

Grupi D

18:45 Shakhtar Donetsk – Inter
21:00 Real Madrid – Sheriff

Tabela

1. Sheriff 3 pikë
2. Real Madrid 3
3. Inter 0
4. Shakhtar 0

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të dalë sot në…