PSG-ja vendos për të ardhmen e Ramosit
Paris Saint-Germain thuhet se e ka njoftuar Sergio Ramosin se nuk bën pjesë në planet e klubit për edicionin e ardhshëm.
Marrëveshja aktuale e Ramosit me skuadrën franceze është deri në vitin 2023, por PSG-ja është e përgatitur të përfundojë kohën e tij në klub këtë verë.
Sipas mediumit “Le Parisien”, hierarkia e klubit e ka vënë në dijeni 36-vjeçarin për këtë lajm, dhe kjo për shkak të dëmtimeve të shumta që e kanë lënë jashtë fushës për pjesën më të madhe të këtij sezoni.
Megjithatë, përkundër kësaj, Ramos synon të qëndrojë në “Parc des Princes” këtë verë dhe të luftojë për vendin e tij. Klubi ka mbetur shumë i zhgënjyer nga rekordi i dëmtimeve të Ramos këtë sezon, i cili e pa atë të mos luajë asnjë herë në Ligën e Kampionëve.
Duke pasur parasysh se ai u nënshkrua me synimin për ta udhëhequr PSG-në drejt lavdisë së Ligës së Kampionëve, kjo e ka frustruar veçanërisht klubin parisien.
Pavarësisht synimit të PSG-së për të ndarë rrugët me Ramos këtë verë, një problem kyç me të cilin ata do të përballen është mungesa e ofertave që do të marrin për legjendën spanjolle.