Psikika dhe Kupidi
Nga: Bledar Kurti
Psikika e ringjallur nga puthja e Kupidit, (1787-1793) e artistit venedikas Antonio Canova (1757–1822), është një ndër veprat skulpturore më elegante në historinë e artit. Edhe pse është e gdhendur në mermer, arrihet të ndjehet mishi, lëkura, pulsimi i trupave, e madje edhe fryma që lidh femrën e bukur e të përgjumur me Kupidin e dashuruar me krahë engjëllorë.
Psikika dhe Kupidi është një histori e cila e ka origjinën tek vepra Metamorfoza, e njohur edhe si Gomari i Artë, shkruar nga Lucius Apulei në shekullin e II-të. Kjo është një histori mbi sprovat dhe vështirësitë e dashurisë midis Psikikës që do të thotë “Shpirt” ose “Frymë jete” dhe Kupidit që do të thotë “Pasion”, “Dashuri”, ose “Eros”, dhe bashkimin e tyre në një martesë të shenjtëruar.
Në këtë histori, Psikika ishte një princeshë aq e bukur saqë njerëzit kishin filluar ta trajtonin atë porsi një perëndeshë, madje duke i dedikuar asaj edhe oferta dhe lëvdata. Venera, perëndesha e dashurisë, u bë mjaft xheloze për bukurinë e Psikikës, kështu që e shtyrë nga xhelozia dhe inati ajo i kërkoi djalit të saj, Kupid, që ta shponte me shigjetë e ta bënte Psikikën të binte në dashuri me një njeri të shëmtuar. Megjithatë, përpara se Kupidi të qëllonte me shigjetën e tij, ai aksidentalisht gërvishti veten dhe ra menjëherë në dashuri me Psikikën.
Ndërkohë, Psikika mbetej aq e bukur, sa që meshkujt kishin frikë të kërkonin dorën e saj. Prindërit e saj u shqetësuan dhe kërkuan ndihmën e zotit Apollo i cili u kërkoi prindërve të Psikikës që ta linin atë mbi një shkëmb. Aty Psikika u morr dhe u transportua në një pyll ku e kaloi kohën me një admirues të fshehtë i cili e vizitonte atë vetëm natën, por të cilin ajo nuk lejohej ta shihte. Pas një farë kohe, e shtyrë nga kureshtja, Psikika arriti ta shihte të dashurin e saj dhe kuptoi se ai ishte Kupidi, i cili menjëherë u largua dhe u kthye në botën e perëndive.
E dëshpëruar, Psikika u përpoq të bindte Venerën që ta ndihmonte atë të fitonte sërish Kupidin. Venera pranoi por i dha Psikikës të kryente një seri detyrash e sprovash. Një prej tyre ishte se Psikika duhej të shkonte në Botën e Nëndheshme (Hades) nga ku duhet të sillte një qyp të mbushur me bukurinë hyjnore. E shtyrë nga dashuria e madhe për Kupidin, Psikika zbriti në botën e Nëndheshme dhe e mori qypin, por u udhëzua nga Venera që të mos shikonte brenda enës. E shtyrë nga kureshtja, Psikika pa brenda duke shpresuar që të merrte një pjesë të asaj bukurie hyjnore për vete. Megjithatë, në vend të bukurisë, ena përmbante “gjumin e errësirës së thellë”. Sapo u hap kapaku, tymi i errësirës së thellë u shpërnda menjëherë tek fytyra e Psikikës, ndaj ajo ra pa ndjenja dhe e zuri një gjumë i thellë porsi vdekje. Kupidi erdhi për ta shpëtuar dhe e zgjoi atë me një puthje.
Pasi Psikika kaloi me sukses të gjitha sprovat e Venerës, ajo u lejua të martohej me Kupidin dhe u shndërrua në një perëndeshë. Dhe ata lindën një fëmijë emri i të cilit ishte Kënaqësia. Dhe në këtë vepër, ne arrijmë të ndiejmë dashurinë e Kupidit, frymën e jetës së Psikikës, duke bërë të lindë brenda nesh një lloj kënaqësie e pa përshkruar e cila të ysht e të fton të bëhesh dëshmitar i atij momenti të zgjimit dashuror.
Kjo vepër është tejet sensuale dhe pasionante. Trupat janë të zhveshur, por nuk janë ndjellës. Përkundrazi, dallohet një fisnikëri dashurie në përqafimin e tyre. Me njërën dorë Kupidi mban butësisht fytyrën e Psikikës ndërsa me tjetrën prek gjoksin e saj, por më shumë si shenjë përqafimi sesa ledhatimi. Psikika ka ngritur kokën lart për nga i dashuri i saj dhe me të dyja duart ka mbështjellë kokën e tij duke i kërkuar ta puthë përsëri. Kupidi ia ka ngulur vështrimin plot ëmbëlsi, i lumtur që ajo po zgjohet në krahët e tij prej gjumit të vdektë. Aq e ëmbël është kjo skenë sa që dashuria nis e merr një kuptim tjetër edhe për shikuesin. Një perëndi që dashurohet me një femër njerëzore, e cila zgjedh të shkojë edhe në botën e nëndheshme vetëm për t’u bashkuar me dashurinë e saj. Dy krahët engjëllorë të Kupidit janë të pozicionuara lart e shpalosen me forcë duke treguar epërsi dhe vetëkontroll, e duke e theksuar më shumë dorëzimin e butë të trupit të Psikikës.
Vepra nuk ka një kënd të caktuar vështrimi. Ajo mund të shihet përballë, në të majtë, në të djathtë, e madje edhe nga pas. Ajo është krijuar për të qëndruar në qendër të një dhome dhe shikuesit mund të vërtiten rreth saj për të shijuar çdo fragment e çdo element. Pas këmbëve të Psikikës, gjendet ena që ajo solli nga bota e nëndheshme, ndërsa Kupidi ka hedhur pas krahëve trastën me shigjeta. Canova e ka ndarë veprën në katër materie: trupat mishor; rroba që mbulon belin e Psikikës e cila gjarpëron nga pamja e përparme dhe shtrihet edhe pas trupave; krahët e Kupidit; dhe shkëmbi i vrazhdë i palëmuar. Të katër elementët janë në shërbim të kompozimit, por edhe theksojnë më shumë butësinë dhe brishtësinë e trupave të zhveshur të cilët janë të trajtuar me një delikatesë të jashtëzakonshme.
Canova e merrte frymëzim nga skulpturat e lashta të antikitetit, megjithatë ai gjithmonë krijonte një version të ri në veprat e tij. Në një letër të vitit 1806 për mikun e tij Quatremère de Quincy, Canova shkroi: “Artisti përpiqet ditë e natë të ndjekë shembullin grek duke u përpjekur të kuptojë stilin e tyre. Por, artisti duhet të shtojë natyrën e tij, e të ofrojë nga vetja e tij . . . “
Kjo është një vepër neoklasike. Canova arriti të rikthente finesën dhe elegancën klasike edhe në shekujt XVIII dhe XIX. Stili neoklasik i kësaj vepre shpaloset në një moment të mbushur me emocion të fortë. Kjo ishte karakteristikë e lëvizjes romantike e cila kishte nisur të përhapej në të gjitha artet dhe fushat krijuese. Emocioni që shpalos vepra, kompozimi i shtrirë gjerësisht i balancuar me ngritjen e fortë vertikale të krahëve të Kupidit, me trajtimin e mrekullueshëm të lëkurës së butë e të shndritshme të trupave të zhveshur, e bëjnë këtë vepër ndër më të magjishmet në historinë e skulpturës dhe artit botëror.
Skulptura mund të shihet nga të gjitha anët, megjithatë ajo e ka një pikë qendrore referimi: hapësira midis buzëve të Kupidit dhe Psikikës. Canova e ka organizuar kompozimin bazuar mbi një ndërthurje komplekse të formave gjeometrike, të cilat i shërbejnë pikës qendrore. Canova dëshironte që të gjitha shqisat tona të drejtoheshin tek fryma midis buzëve, tek puthja e rikthimit të jetës e cila është e tërthortë në formë X. Të dy trupat janë në mënyrë të tërthortë duke e bërë të gjithë veprën të marrë formën e piramidës.
Vepra u porosit nga Kolonel John Campbell, një politikan britanik dhe koleksionist arti, në vitin 1787. Ekzistojnë dy kopje të kësaj vepre, njëra në muzeun e Luvrit në Paris, dhe tjetra në muzeun e Hermitazhit në Shën Petersburg në Rusi. Canova ishte shumë i njohur në kohën e tij dhe krijoi vepra si për Vatikanin ashtu edhe për Napoleon-in, të cilin plot admirim e krijoi të zhveshur e vetëm me një rrobë romake mbi sup. Ai gjithashtu kreu porosi edhe për Mbretin e Anglisë, dhe aristokratë të rëndësishëm të Evropës, sikurse krijoi edhe monumente të figurave të rëndësishme të botës siç ishte ajo e presidentit amerikan George Washington, i cili shpalosej i veshur me një parzmore romake, vepër e cila fatkeqësisht u dogj në vitin 1830. Një nga veprat e tij më të famshme të personazheve të shquara të kohës është ai i motrës së Napoleonit, Pauline Borghese, e cila është e mbështetur pothuajse lakuriq në një shtrat me pozën e Venus Victrix (Venera fitimtare) një bashkim i perëndeshës klasike dhe portretit bashkëkohor të Paulines.
Statujat dhe reliefët monumentale të Canovas janë plot hir, ngrohtësi dhe pastërti të konturave. Talenti i tij artistik ishte i padiskutueshëm. Por, Canova shërbeu edhe si diplomat. Pas disfatës së Napoleon-it në Waterloo, krerët e vendeve evropiane u takuan në Paris për të zgjidhur rrëmujën që Napoleon-i kishte lënë pas. Papa Pius VII dërgoi Canovan në Paris për të ndihmuar në rimarrjen e thesareve të artit të rrëmbyera nga francezët në vitin 1797. Falë këmbënguljes së Papës dhe të ambasadorit të tij të posaçëm, Antonio Canova, në takimin e tyre, krerët e shteteve evropiane u detyruan të diskutonin se çfarë duhej bërë me veprat e shumta artistike që kishte vjedhur perandori Napoleon nga vendet e tjera gjatë pushtimit. Canova provoi se ishte një diplomat simpatik, por tejet i vendosur dhe frymëzues. Për inat të francezëve dhe me ndihmën e anglezëve, pothuajse të gjitha veprat e artit u kthyen atje ku e kishin vendin. Për punën e tij të shkëlqyer diplomatike Papa i dha artistit titullin Markez i Ischia, si edhe një pension vjetor prej 3,000 scudi, të cilat artisti ia dhuroi disa akademive të artit.
“Sublime,” “e shkëlqyer” dhe “e mrekullueshme” ishin fjalët më të përdorura për veprat e Canovas në kohën e tij. Skulpturat e tij janë plot hijeshi dhe trupat e mermertë kanë një ngrohtësi të pashoqë. Canova iu referua skulpturave klasike me misionin për t’i përmirësuar ato, e madje duke i bërë ato më heroike, dhe në rastin e veprës Psikika e Ringjallur Nga Puthja e Kupidit, më romantike dhe sensuale. Por, ai nuk kënaqej vetëm me finesën e jashtme, ai synonte të shpaloste edhe bukurinë e brendshme, dhe të transmetonte emocione të thella tek shikuesi.
Emocionet e thella që na transmetojnë Psikika dhe Kupidi janë aq magnetike saqë edhe ne përfshihemi plotësisht në atë skenë. Përqafimi i tyre është një moment i ngrirë i gdhendur në mermer por shikuesi ndien një përndezje emocionale prej frymës rigjallëruese që shkëmbehet përmes buzëve të dy të dashuruarve.
Përmes të gjithë veprave të tij Canova shpalos vlerat plot hijeshi të artit. Në fakt, arti flet atëherë kur fjalët e kanë të pamundur të japin shpjegim. Kjo vepër nuk ka nevojë të përshkruhet me shumë fjalë. Ajo është krijuar të komunikojë me zemrën e shikuesit, dhe nuk ka patur asnjë zemër që ka qëndruar përpara kësaj vepre pa u prekur dhe pa u transformuar. /Gazeta “ExLibris”/