PSRK-ja ka ngritur 33 aktakuza me 89 persona për krime të luftës në Kosovë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur 33 aktakuza ku përfshihen 89 persona për krime lufte në Kosovë.
Prokurorja Drita Hajdari në një konferencë për medie tha se ky proces ka paraqitur shumë probleme për shkak se shumica e të dyshuarve ndodhën në Serbi.
“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe rasti për ‘Mejen’ dhe shumë e shumë raste të krimeve të luftës në Kosovë. Sa i përket aktakuzave, iu njoftoj se tani prokurorët vendorë kanë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona”.
“Me marrjen e kompetencave ishim të ballafaquar me probleme të shumta e sidomos me rrethanën se kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë. Shumica e tyre janë në Serbi, ndërsa viktimat dhe dëshmitarët janë në Kosovë. Kjo ka paraqitur një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave, sepse nuk kemi mundur t’i ngritim aktakuzat pa i marrë në pyetje të pandehurit, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndalë”, ka thënë ajo.
Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj, ka thënë se ky institucion do të vazhdojë të punojë pa ndalur në ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krime lufte, raporton Ekonomia Online.
“Prokurorët tanë po punojnë me shumë përkushtim përkundër sfidave që masin sigurimin e provave dhe dëshmisë. Përkundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme për identifikimin e kryerësve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë. Me këtë rast dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Prokuroria Speciale do të vazhdojë të punojë pa ndaluar në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, përkundër vështirësive që na presin”, ka thënë Isufaj.