Publikohen konkluzionet përfundimtare nga samiti i Brukselit, asnjë shenjë për heqjen e vizave
Në takimin dyditorë të liderëve të 27 vendeve të BE-së në Bruksel, s’ka pasur asnjë rezultat konkret sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës janë zhgënjyer edhe njëherë, për të vazhduar pritjet e pafundme para ambasadave.
Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) që është mbledhur dje dhe sot, ka publikuar konkluzionet përfundimtare nga takimi, kurse heqja e vizave për Kosovën nuk është përmendur askund.
Krejt çfarë është thënë për Kosovën në këtë dokument është urgjenca që Kosova dhe Serbia të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.
“Këshilli Evropian ripohon urgjencën për të bërë përparim të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht dialogu Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, është thënë në konkluzionet e Këshillit të BE-së.
Pritjet që liberalizimi i vizave të diskutohet në takimin dyditorë të Këshillit të BE-së nuk është realizuar, madje çështja as nuk është përfshirë në konkluzionet përfundimtare të Këshillit.
Heqja e vizave për qytetarët e Kosovës nuk është përmendur as në konferencën e përbashkët të presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Kosova është përmendur vetëm nga presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.
“Ne përkrahim konkluzionet nga përfaqësuesi i lartë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”,ka thënë ai kur ka folur për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa kryeministri holandez, Mark Rutte, shteti i të cilit është skeptik sa i përket heqjes së vizave, në takimin e parë të Këshillit dje, ka thënë se Kosova ka shënuar progres por jo mjaftueshëm sa të ndodhë liberalizimi.
Në anën tjetër, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, mbetet liderja e vetme evropiane që ka përmendur domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për Kosovë.
Metsola para fillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe pas përfundimit të samitit ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen vizat.
Takimi tjetër i 27 liderëve të unionit sipas kalendarit të Këshillit të BE-së do të zhvillohet më 20 dhe 21 tetor 2022.
Franca ka udhëhequr presidencën e Këshillit të BE-së nga 1 janari 2022 dhe do ta përfundojë atë më 30 qershor 2022 për ta dorëzuar te Çekia nga 1 korriku. /GE/