Publikohen pamje: Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Ferat Shala në aksion për shpëtimin e civilëve dhe të plagosurve
Këto ditë Kosova shënon Ditën e Çlirimit dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është simbol i këtij momenti historik.
Lufta e saj e ndërroi historinë e popullit shqiptar të Kosovës dhe ktheu vëmendjen e botës, duke bërë që NATO të nis për herë të parë një fushatë bombardimi.
Beteja e UÇK-së nuk ishte e lehtë përballë një ushtrie nga më të fortat e asaj kohe në Evropë. Por përtej kësaj, ajo duhej të përballej edhe me situata të rënda, kur duhej të pushtonte malet për të shpëtuar civilët dhe të plagosurit.
Në disa video të rralla të UÇK-së, shihen Kadri Veseli, Ferat Shala, Rexhep Selimi dhe ushtarë të tjerë teksa lëvizin nga një zonë më e rrezikshme në një zonë më të sigurtë, disa civilë dhe të plagosur.
Pamjet mendohet se janë nga prilli 1999 dhe janë bërë në një terren që njihet si Vuqak, në komunën e Drenasit.
Veseli shihet i armatosur rëndë, ashtu sikurse edhe të tjerët ushtarë. Në sfond dëgjohen edhe të shtëna armësh nga granatimet.