Publikohen pamjet e momentit të vrasjes së policit në Lezhë (Video)

29 shtator 2021 | 16:53

Janë publikuar pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura në Vain të Lezhës, të cilat hedhin dritë mbi momentin e vrasjes së efektivit të policisë, Saimir Hoxha.

“Ora News”, ka siguruar videon e ekzekutimit të Saimir Hoxhës, ku dallohet qartë veprimet e policisë dhe veprimet e personave të tjerë.

Punonjësit e policisë së Lezhës kanë qenë duke lëvizur me një automjet ngjyrë të bardhë, “Land-Rover”, kur papritur kanë qëndruar buzë rrugës me qëllim për të verifikuar një automjet tjetër tip “Volkswagen”.

Pikërisht ky është moment kur tre policët zbresin nga makina dhe pozicionohen për të verifikuar personat që ndodheshin në automjetin tjetër. Punonjësi i policisë është pikërisht Saimir Hoxha, që në këtë ngjarje mbeti i vdekur në vend.

Sapo punonjësit e policisë i kanë kërkuar dokumentet, personi që ndodhej në sediljen e pasme Aldo Rama, ka qëlluar me pistoletë “TT” në drejtim të Saimir Hoxhës, duke e lënë të vdekur në vend.

Ndërsa dy personat e tjerë, shokë të Aldo Ramës, Kristjan Sheri dhe Armando Marku, fillimisht duken në pamjet filmike se ikin me vrap dhe më pas kthehen sërish tek makina e policisë, duke u ulur dhe kryer veprime për të ndihmuar, punonjësin e policisë që ndodhej i shtrirë në tokë.

Ndërsa dy punonjësit e tjerë të policisë, janë shtrirë buzë rrugës dhe kanë hapur zjarr në drejtim të makinës së Aldo Ramës, ku kanë qëlluar plot 9 herë.

Nga goditjet me armë të policëve, mjetit i është ccarë njëra gomë. Por sërish Aldo Rama, ka vijuar të eci në një distancë prej 1 km me makinën e tij, duke e braktisur më pas dhe hyrë në një territor të lagunës së Vainit.

Pas 5 orë ndjekje, Aldo Rama është gjetur nga RENEA në gjendje të rëndë shëndetësore pasi kishte qëlluar veten me armën tip “TT”, me të cilën qëlloi për vdekje dhe punonjësin e policisë Saimir Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla,…