Publikohen rezultatet, rreth 100 mijë shqiptarë në Luginë të Preshevës

01 nëntor 2022 | 14:04

Të martën janë publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ka bërë me dije se nga ky regjistrim del se Lugina e Preshevës ka rreth 100 mijë shqiptarë.
Në Preshevë dhe Bujanoc shumica e banorëve janë të kombësisë shqiptare, përderisa në Medvegjë ka më shumë serbë.

“Nga rezultatet preliminare që kemi siguruar mëngjesin e sotëm, Bujanoci numëron 54 mijë e 498 banorë dhe 13 mijë amvisëri, Presheva ka 59 mijë e 24 banorë dhe 11 mijë e 654 amvisëri, dhe Medvegja 8 mijë e 459 banorë dhe 5 mijë e 899 amvisëri. Këto shifra tregojnë se komuna e Bujanocit është komunë në rritje, ku në krahasim me regjistrimin e fundit të rregullt në vitin 2001, ku komuna jonë ka pasur gjithsej 43 mijë e 302, sot është rritur për më shumë se 11 mijë banorë. Për gjithë këtë sukses, fillimisht duhet të falënderoj shefin e misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Braathu, i cili ishte garantuesi më i madh që ky proces do të zhvillohet në frymën e standardeve evropiane, i cili më pastaj më hapi rrugën që të marrë iniciativën për takime konsultative me përfaqësuesit e partive tjera politike shqiptare në Luginë për t’iu përgjigjur pozitivisht regjistrimit. Pas tri takimeve konsultative në kabinetin tim, më 25 korrik 2022, nënshkruam deklaratën e përbashkët për të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë”, ka deklaruar Arifi.

Ai ka thënë se ky numër i shqiptarëve në Luginë të Preshevës ka demantuar shifrat e regjistrimit të vitit 2011.

“Vendimi për të dalë në këtë regjistrim nuk ishte i lehtë, pas bojkotit të vitit 2011, por në fund doli të jetë i drejtë. I drejtë, sepse demantuam shifrat e regjistrimit 2011, ku shqiptarët llogariteshin rreth 5 mijë e 800 shqiptarë në gjithë Serbinë. Tanimë duket qartë se numri i shqiptarëve është rreth 100 mijë. Dhe, në fund, por jo më pak të rëndësishëm, falënderoj të gjithë qytetarët që u regjistruan, grupën punuese pranë administratës komunale, instruktorët që udhëhoqën këtë proces, si dhe një falënderim i posaçëm për të gjithë regjistruesit në terren, të cilët derë më derë trokitën përgjatë një muaji për të regjistruar çdo banorë dhe çdo shtëpi apo banesë”, ka theksuar Arifi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e martë) nga ora 21:00, Bayern Munchen dhe Inter…