Publikohet hulumtimi ‘Siguria në shkollat e qytetit të Kaçanikut’
Përfaqësues të institucioneve komunale, drejtori i Arsimit dhe Kulturës, Zahir Doda, përfaqësues të stacionit të policisë në Kaçanik, drejtorë shkollash, përfaqësues të këshillit të prindërve janë takuar për të diskutuar për gjendjen e sigurisë në shkollat e Komunës së Kaçanikut.
Në këtë takim është publikuar edhe raporti i hulumtimit me titull ‘Siguria në shkollat e qytetit të Kaçanikut’, realizuar nga stacioni policor në Kaçanik.
Ky hulumtim është bërë me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të sigurt, largimin e dukurive negative dhe ngritjen e besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së punës policore në përgjithësi.
Në këtë hulumtim janë dhënë edhe disa rekomandime, ku nga të pranishmit në takim u kërkua që këto rekomandime të zbatohen, me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të qetë dhe të sigurt në shkolla për fëmijët e tyre.
Në mesin e rekomandimeve në këtë hulumtim është edhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit mes policisë, drejtorisë së arsimit, drejtorëve të shkollave, prindërve dhe nxënësve, organizimi i ligjëratave të ndryshme, shpërndarje të fletushkave, mbajtja e aktiviteteve të tjera me qëllim të parandalimit të dukurive negative etj.
/Epoka e re/