Publikohet libri “Syzheu i jetës”

25 shkurt 2022 | 20:59

Arxhela Krasniqi, maturante, është poetja më e re e karvanit të poeteshave.

Krasniqi sot ka publikuar librin e titulluar “Syzheu i jetës” dhe  përmban pesëdhjetë (50) poezi.

Me rastin e promovimit të librit, redaktori i librit Mentor Xh. Hajrizi, ka thënë se  vargu poetik, i krijueses Krasniqi, pasurohet me një figuracion të pasur artistik dhe me gjuhën që ajo përdor në këtë krijim letrar, i cili, pa dyshim, për lexuesin, do të ketë peshë të posaçme.   “Libri i kushtohet burrit dhe i kushtohet gruas, bashkëshortit dhe bashkëshortes, të riut dhe të resë, atij dhe asaj që do jetën, që di vërtet të dashurojë dhe të sakrifikojë, që di të luftojë me vetëmohim”, u shpreh Hajrizi.

Fjala e plotë e Hajrizit:

Të nderuar pjesëtarë të familjes Krasniqi,

E nderuar Arxhelë, autore e librit “Syzheu i jetës”,

I nderuar kryetar e nënkryetar i Vushtrrisë,

E nderuar drejtoreshë e Kulturës,

I nderuar drejtor i Qendrës së Kulturës,

Të nderuar drejtorë, profesorë e nxënës,

Të nderuar të pranishëm, pjesëmarrës të përurimit të kësaj vepre unike,

Dashamirë të artit, të fjalës së shkruar,

Lexuesit e librit tanimë do të kenë shije estetike shumë më të madhe. Ata, pa mëdyshje, fort do të lidhen me vargun poetik, me vargun që stolis, që hijeshon jetën, pa u shkëputur, së toku me mendjendriturat.

Letërsisë moderne shqipe, me një fjalë, kohëve të fundit, iu shtua  edhe një penë e re, vargu i së cilës do të selitet dhe do të ngërthejë në vetvete një bukuri magjike, deri në atë nivel sa të ngrihet interesimi për të kuptuar e për të shijuar në gjuhën poetike.

Arxhela Krasniqi, maturante, është poetja më e re e karvanit të poeteshave me vlera të larta letrare e artistike. E bija e Bekim Krasniqit, ish-ushtar i UÇK-së, më vonë rreshter policor dhe rapsod i njohur i folklorit shqiptar, sjell para nesh, në një botim cilësor, të titulluar “Syzheu i jetës”, poezi lirike, të krijuara me mjeshtëri të rrallë, me të cilat synohet të vendosen kulme poetike në letërsinë moderne shqipe.

Ky libër, i hartuar me mbresa të fuqishme, me ndjesi të pashlyeshme, përmban pesëdhjetë (50) poezi. Libri i kushtohet burrit dhe i kushtohet gruas, bashkëshortit dhe bashkëshortes, të riut dhe të resë, atij dhe asaj që do jetën, që di vërtet të dashurojë dhe të sakrifikojë, që di të luftojë me vetëmohim.

Poetja e zellshme, më shumë feministe, duke dashur të jetë zëri i Atdheut, i burrit të dheut dhe zëri kumbues i femrës, i arsyes dhe i ndërgjegjes, shkroi pareshtur me penën e artë të vargjeve të saj. Vargu poetik, i krijueses Krasniqi, pasurohet me një figuracion të pasur artistik dhe me gjuhën që ajo përdor në këtë krijim letrar, i cili, pa dyshim, për lexuesin, do të ketë peshë të posaçme.

“Dhoma pa libra është sikur trupi pa shpirt”, – thotë me të drejtë një mendimtar anglez, i quajtur Gilbert, i cili po na jep porosinë që edhe ne t’i japim dhomës sonë shpirt, duke e mbajtur në syzë dhe duke e ruajtur me fanatizëm librin e Arxhelës, me titullin tashmë të njohur, “Syzheu i jetës”.

Përgëzime e mia për poeten!

Ju falemnderit për vëmendjen!

Mentor Xh. Hajrizi

Vushtrri, më 25 shkurt 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar se…