Publikohet lista e gjerë e Kosovës
Trajneri i Përfaqësues së Kosovës A, Rami Hadar ka publikuar listën e gjerë të basketbollistëve për ndeshjet e korrikut dhe gushtit. Hadar ka përzgjedhur 17 lojtarë, të cilët do të jenë në grumbullime, e më pas lista do të shkurtohet në 12, që do të mundohen të arrijnë rezultate sa më të mira në parakualifikimet e “Eurobasket 2025”.
Krahas viteve të fundit listës i është shtuar Lis Shoshi e Dardan Kapiti, ndërsa Dominic Artis, i është bashkuar për herë të parë Kosovës, i cili do të luajë si lojtar i natyralizuar në pozitën e organizatorit. Për herë të parë Kosovës A iu është bashkangjitur edhe Shendrit Llapi, i cili me herët ka qenë pjesë e grupmoshave të reja.
Kosova është në Grupin H, ku do të luajë me Zvicrën dhe Danimarkën në parakualifikimet e “Eurobasket 2025”.
Ndeshjen e parë Kosova e luan në shtëpi më 19 korrik, ku e pret Zvicrën, pastaj luan dy ndeshje jashtë më 26 korrik ndaj Danimarkës dhe me Zvicrën më 29 korrik. Ciklin para kualifikues Kosova e mbyll në shtëpi më 5 gusht, ku është nikoqire e Danimarkës.
Kosova këtë vit për herë të parë ndeshjet në shtëpi do t’i zhvillojë në Palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.