Publikohet një “non-paper” i ri për Ballkanin Perëndimor
Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian iu është ofruar një dokument i emëruar si “non-paper” për Ballkanin Perëndimor, i cili mbështetet nga Kroacia, Sllovenia, Austria, Republika Çeke, Greqia, Italia dhe Sllovakia.
Në këtë dokument thuhet se Ballkani Perëndimor është i ekspozuar ndaj faktorëve destabilizues, si “ndikimi malinj i vendeve të treta, kërcënimet hibride dhe migrimi i paligjshëm”.
“Meqenëse presim që partnerët tanë të përafrohen me politikën e jashtme të BE-së, ne besojmë se rritja e dialogut do të kontribuonte në një kuptim më të mirë të pozicioneve të BE-së. Bashkëpunimi i zgjeruar do të na bënte më efektivë në përballjen me presionet e jashtme dhe për t’iu kundërvënë narrativave ruse dhe të tjera të dëmshme që janë të papajtueshme me vlerat e BE-së dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, thuhet në dokumentin që e ka parë Albanian Post.
“Ne, miqtë e Ballkanit Perëndimor, kemi një përgjegjësi të veçantë për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor lart në agjendën politike të BE-së dhe për të mbështetur rajonin në rrugën e tij drejt BE-së”.
Ajo që më së shumti insistohet përmes këtij dokumenti është rritja e pranisë së Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfshirja e tyre në këtë fushë në mënyrë që vendet të anëtarësohen sa më shpejt në BE.
“Institucionet të paraqesin një agjendë të qartë për integrim gradual dhe të përshpejtuar me hapa konkretë zbatimi deri në vitin 2024 e më tej, bazuar në të drejta dhe rigoroze kushtëzimi dhe parimi i meritave të veta”.
Përmes këtij dokumenti kërkohet që takimet me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të organizohen më shpesh dhe se Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të zhvillojnë takime më të rregullta me ambasadorët e vendeve të BE-së.
Ata janë gjithashtu të përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës dhe sigurisë kibernetike, si dhe mbështetjen e mëtejshme për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e mbrojtjes në kuadër të instrumentit evropian për paqe.
Ndryshe, këtë të hënë në Bruksel janë takuar Ministrat Jashtëm të Bashkimit Evropian. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE.
“Kryesimi i takimit ministror BE – Ballkani Perëndimor këtë mbrëmje me 6 ministrat e rajonit. Ne duam të avancojmë integrimin e rajonit në vendimmarrjen tonë, duke përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë – tashmë përpara anëtarësimit”, shkroi ai në platformen X.