Publikohet programi për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijës
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit publikuan Programin për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
KOMF-i ka mbështetur Zyrën për Qeverisje të Mirë në hartimin e këtij programi, i cili përmban katër module dhe i cili do të përdoret nga profesionistët për mbrojtjen e fëmijës për ngritje të kapaciteteve.
Krahas kësaj, gjatë vitit të kaluar KOMF-i dhe Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrit, kanë mbajtur 13 punëtori dyditore me të gjitha komunat, për informim të profesionistëve mbi përmbajtjen e këtij ligji.
Modulet kryesore që e përbëjnë këtë program janë: Qëllimi, fushëveprimi dhe parimet e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, mekanizmat institucional, roli dhe përgjegjësitë për mbrojtjen e fëmijës, sistemi dhe masat për mbrojtjen e fëmijës dhe mbrojtja e fëmijës.
Qëllimi i përgjithshëm i programit është fuqizimi i kapaciteteve të profesionistëve për mbrojtjen e fëmijës në nivel komunal dhe qendror për të zbatuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme.
Modulet dhe përmbajtja, janë një aset edukativ i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijës, veçanërisht në lidhje me Ligjin e Mbrojtjen e Fëmijës, që është i pari i këtij lloji në Kosovë, dhe i cili sjell shumë risi, dhe aspekte që kërkojnë vëmendjen e shtuar dhe koordinimin institucional për zbatimin e tij në praktikë.
Gjatë ceremonisë së publikimit të këtij programi, morën pjesë përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Drejtoritë Komunale, Qendrat për Punë Sociale, Agjencitë Ndërkombëtare, organizatat joqeveritare etj.
Zhvillimi i programit të LMF dhe ky event u mundësuan në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetet nga UNICEF-i në Kosovë në partneritet me USAID-in.