Publikohet raporti i KE-së për Kosovën, këto janë të gjeturat
Komisioni Evropian (KE) ka publikuar sot raportin për Kosovën. Të gjeturat kryesore të raportit tregojnë që Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave kyçe të BE-së, specifikisht është përmirësuar në sundimin e ligjit dhe administratën publike.
Megjithatë një numër i masave dhe vendimeve ad-hoc nuk përputhen me objektivat reformuese të qeverisë dhe kjo ka ardhur si rezultat i numrit të lartë të stafit të Qeverisë.
Në raport është thënë se Kuvendi i Kosovës ka qenë i suksesshëm në përmbushjen e disa nga çështjeve strategjike të Kosovës, përfshirë këtu ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe miratimin e reformave të rëndësishme legjislative.
Megjithatë, raporti në fjalë ka theksuar aktivitetin e vonuar legjislativ të Kuvendit për shkak të funksionimit të dobët, i shkaktuar nga mungesa e shpeshtë e kuorumit.
Sa i përket reformave të administratës publike, të gjeturat e raportit thonë: “Është shënuar progres në miratimin e pakove të ligjeve mbi funksionimin dhe organizimin e administratës publike, zyrtarë publikë dhe pagat. Përderisa Ligji mbi Pagat përbën një sistem më transparent dhe barazi mes pagave për zyrtarët publikë, ndikimi buxhetor afat-mesëm ngjall shqetësime”, raporton “Ksp”.
Më tutje, në raport theksohet se korrupsioni mbetet shqetësim në Kosovë, ndërsa ka shënuar përmirësim në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në nivel të lartë.
“Kosova ndodhet në fazë të hershme në luftimin e korrupsionit. Ka shënuar përmirësim përmes reformave kyçe legjislative në fushën e sundimit të ligjit dhe hetimin dhe ndjekjen penale e rasteve të korrupsionit të shkallës së lartë. Korrupsioni mbetet i përhapur dhe shqetësim”, është thënë në raportin e KE-së për Kosovën.
Për më tepër, raporti në fjalë ka treguar se Kosova është në fazë të hershme në luftimin e krimit të organizuar.
“Masat janë të nevojshme që të mos ketë ndërhyrje politike në aktivitetet operuese të trupave të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë. Situata në veri të Kosovës, në aspektin e krimit të organizuar, vazhdon të jetë sfiduese për trupat që merren me zbatimin e ligjit”, është thënë në këtë raport.
Progresi sipas këtij raporti është vërejtur në luftimin e terrorizmit përmes krijimit të kushteve më të mira rehabilituese dhe ri-integruese për ushtarët e huaj terroristë dhe familjet e tyre.
“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka vazhduar të jetë e angazhuar në dialogun. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet t’i tërheqë tarifat e vendosura ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Kosova duhet të bëjë më shumë përpjekje për të një ambient më të favorshëm për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë. Kjo marrëveshje është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian”, është thënë në raportin e KE-së për Kosovën.