
Publikohet video e aksidentit të avionit, ja si u rrotullua menjëherë sapo preku pistën
Është publikuar video e momentit të aksidentit të avionit Delta Air Lines, i cili u përmbys menjëherë sapo preku pistën.
Në pamjet e publikuara duket se gjithçka po shkonte si duhet teksa avioni po ulej, por në momentin që ai prek pistën shpërthen në flakë dhe përmbyset, por fatmirësisht asnjë nga 80 personat në bord nuk humbën jetën, shkruan A2 CNN.
Avioni CRJ900, operohej nga Endeavor Air, një degë e Delta Air Lines dhe u rrëzua rreth orës 14:15 me orën lokale. Pavarësisht natyrës së aksidentit, fatmirësisht nuk pati viktima. Mes të plagosurve ishte edhe një fëmijë, por sipas spitalit Sick Children në Toronto, ai është në gjendje të mirë.
Shefi i zjarrfikësve të aeroportit, Todd Aitken, e cilësoi reagimin e ekipeve të emergjencës si “shembullor”, duke ndihmuar në shmangien e humbjeve të jetëve.
Dëshmitarët përshkruajnë momentet dramatike
Pasagjeri Pete Koukov tha se gjithçka dukej normale deri në momentin kur avioni preku tokën. “U ndjemë sikur po binim anash dhe më pas u gjetëm përmbys, të varur si lakuriqë nate”, tha ai. John Nelson, një tjetër pasagjer, tha se ndjeu një goditje të fuqishme dhe përshkroi skenën si “kaotike”. “Pashë një top të madh zjarri nga krahu i majtë i avionit”, tha ai.
Hetimet vazhdojnë
Aksidenti ndodhi në një ditë me erëra të forta dhe reshje bore, megjithatë pista ishte e thatë dhe pa rryma të forta ajrore. Autoritetet kanadeze dhe amerikane po hetojnë shkakun e rrëzimit.
Dy pista të aeroportit do të mbeten të mbyllura për disa ditë, për të mundësuar hetimet e plota nga Bordi i Sigurisë së Transportit të Kanadasë dhe Administrata Federale e Aviacionit në SHBA.