Publikohet videoja ku Radojiçiqi shihet në Bajnskë
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video në “Facebook” në të cilën sipas tij shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiqi, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Sveçla në përshkrimin e videos.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë është vrarë polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë janë plagosur. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia ka vrarë tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.
Radoiçiqi është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të ShBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.