PULËBARDHA
13 nëntor 2019
| 08:51
Demir Gjergji
Në mol anija e mbushi javën,
Me pulëbardhën në direkë.
Të tetën ditë e ngre spirancën,
E niset prapë në udhë të vet.
Pulëbardha ka harruar veten
Në çerdhe, ulur përmbi vezë,
Ndërkohë që mol e brigje treten
Në hone kaltërsish me diell.
Dhe shpeza u kujtua vonë,
Kur vezët çelën zogjtë e saj.
U ngrit me vrik në horizont,
Po bregu s’dukej më në skaj!
Flatra-lodhur nëpër shqotë,
Foleja mbi direkë e ndjell…
Loton e bëhet njësh me zogjtë,
Robinjë në qelinë qiell!
Ndërkohë anija busull-humbur,
Po endet detesh pa drejtim,
Pulëbardha qan ngujuar burgut,
Si ti nën qiell të shpirtit tim.