PULËBARDHA
Petraq Risto
1.
Nuk e di si më hyri pulëbardha në dhomë
mbase u gënjye nga perdet e bardha: era që frynte i kthente në dallgë.
Mbase unë i shtrirë në shtrat nën çarçafin e bardhë
i dukesha shkëmb në një breg të lodhur.
Këlthiste mbi ballin tim që digjte si çdo gjë nën diellin e verës.
Këlthiste. E zhgënjyer nga unë e nga balli im,
e zhgënjyer nga çarçafi i bardhë, muret e perdet e bardha
bëri të dalë po ku të dilte kur s’e njihte fjalën ‘dritare’
e kur të shtrirë nën këtë det gënjeshtar
shihte një Posejdon me cfurkun e pëllëmbëve shtrirë
mbase në lutje…
2.
Një pasqyrë e shkrirë u kthye në det
Një ëndërr: në anije
Molla e kuqe në tryezë: në bovë u kthye.
Vetëm ti mungoje, nuk po vije.
Bromuri i argjendit krijoi ca pulëbardha
Dhe krahët e pulëbardhave e krijuan erën
Lëviza mollën që të zgjohej dallga
Po ti prapë nuk erdhe.
Padashur, padashur pasqyra u thye
Anija u mund nga shtërngata
Molla e kuqe në plagë u kthye
Veç brumuri i argjendit mbeti te pulëbardhat.
…Dhe ti prapë nuk erdhe.
3.
I vetëm ishe mes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat
Dhe unë me fëmijët prisja, pushoni, lusja erërat.
Po erërat nuk ma vinin veshin: po ç’është kjo grua, e marra
dhe retë me gjak rrufesh: lehona të sapo dalë nga barra.
Ti larg me varkë përmes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat.
Lutesha me sy nga qielli, me mua luteshin pulëbardhat
Pulëbardhat që ne ushqenim kur rrjetat hidhte darka…
Fëmijët qanin, oh, lotët, lotët turpërojnë stërkalat
Turpërojnë retë- lehona të sapo dalë nga barra…
Ti larg me varkë përmes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat.
Unë me fëmijët: dukej bregu – gojë me dhëmbë të rënë
Pa velë si kryq ngjante direku, anije pa velë – qiell pa hënë.
Unë qaja, rrotull meje vajtojca qenë pulëbardhat
më vinin pranë, më fshinin lotët: det me fjalë stërkalash.
Ti larg me varkë përmes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat.
Luten pulëbardhat përmbi det: priftërinj në pagzimore
Stuhi kryqëzohu në direk, im shoq të mos kryqëzohet!
Meket stuhia, mpihet deti, direkët s’bëjnë kryqëzatë
Njëqind pulëbardha bashkojnë krahët në direkë të varkës
Njëqind pulëbardha bashkojnë krahët: mes detit krijonë velën
Unë që nga bregu shoh llahtarën: merr frymë, nga vdekja del.
Unë me fëmijët: duket bregu – gojë me dhëmbë të rënë
Tashmë s’më ngjan si kryq direku, në qiell rron një hënë.
Njëqind pulëbardha bashkojnë krahët mes detit krijojnë velën…